Në Prishtinë nesër nis edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, i cili për pesë ditë do të sjellë një program të pasur me aktivitete kulturore, edukative, artistike dhe kreative për fëmijë.
Ceremonia hapëse e festivalit do të mbahet të martën, më 22 shtator, nga ora 11:00, në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti”.
Në ceremoninë hapëse janë paraparë fjalë rasti, si dhe ndarja e çmimeve për “Lexuesit e Vitit” nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani”.
Programi i ditës së parë do të vazhdojë nga ora 11:30 deri në 12:30 me aktivitetin “Palaço me shokë”, ku fëmijët do të kenë mundësi të argëtohen me palaço dhe maskota.
Nga ora 12:30 deri në 14:00, shtëpia botuese ALBAS do të organizojë një aktivitet me Majlinda Kelmendin dhe Nexhmije Pagarushën. Përmes këtij aktiviteti, fëmijët do të kenë mundësi të njihen me këto dy figura të rëndësishme të sportit dhe muzikës kosovare.
Programi do të vazhdojë nga ora 14:00 deri në 15:00 me një aktivitet të organizuar nga Bright Minds në fushën e STEM-it, ndërsa nga ora 15:00 deri në 16:00, Evolution Dance do të sjellë aktivitetin “Kids Dance on Reading Day”.
Një tjetër aktivitet i ditës së parë është “Një ditë me zjarrfikësit”, i cili do të zhvillohet nga ora 16:00 deri në 18:00. Në këtë aktivitet fëmijët, së bashku me prindërit, do të kenë mundësi të njihen më nga afër me profesionin e zjarrfikësit dhe punën e tyre.
Përgjatë pesë ditëve të festivalit, vizitorët do të mund të vizitojnë edhe Panairin e Librit për Fëmijë dhe të njihen me botime të ndryshme të dedikuara për fëmijët.
Të gjitha aktivitetet e ditës së parë do të zhvillohen në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti”, ndërsa hyrja dhe pjesëmarrja në program janë falas.
Organizatorët kanë ftuar fëmijët, prindërit, adhuruesit e librit, përfaqësuesit e institucioneve dhe mediat që të marrin pjesë në ceremoninë hapëse dhe aktivitetet e festivalit. /Telegrafi/