Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapa drejt de-përshkallëzimit të luftës dhe të shqyrtojë propozime diplomatike në bashkëpunim me partnerët e saj.
Deklarata e Zelenskyt erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje që Rusia t’i japë fund luftës në Ukrainë, duke pretenduar se industria ruse e përpunimit të naftës ka pësuar dëme të mëdha.
Zelensky u pajtua me Trumpin se lufta duhet të përfundojë, duke theksuar se Ukraina ka kërkuar një zgjidhje paqësore që nga fillimi i pushtimit rus, transmeton Telegrafi.
“Ne kemi bërë tashmë dhjetëra propozime diplomatike për t’i dhënë fund kësaj lufte me dinjitet, për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar pushtime të reja ruse. Aktualisht, po zhvillohet dialogu me presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara”, tha Zelensky.
Sipas presidentit ukrainas, po shqyrtohen ide konkrete për afrimin e paqes dhe uljen e tensioneve. Një prej tyre është ndalimi i sulmeve ruse ndaj objekteve energjetike, infrastrukturës kritike dhe eksporteve ushqimore të Ukrainës.
“Duhet të ndalojnë së qeni objektiva për Rusinë sektori energjetik i Ukrainës, infrastruktura kritike dhe eksportet tona ushqimore. Kjo do të çojë në hapa përkatës të de-përshkallëzimit nga ana jonë. Zgjidhjet janë të mundshme”, deklaroi ai.
Zelensky tha se Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapat e saj dhe se këto ide do të diskutohen me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë gjatë takimeve në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork këtë javë.
Ai shtoi se lufta ka hyrë në një fazë ku edhe Rusia përballet me pasojat e konfliktit, duke argumentuar se teknologjia i ka ndryshuar mënyrat se si zhvillohet lufta.
“Fuqia e lidershipit të vendeve mund dhe duhet të sjellë de-përshkallëzim, siguri dhe paqe”, përfundoi Zelensky. /Telegrafi/