Arjanit Fazlija ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij te FC Prishtina, pasi gjatë kësaj vere iu bashkua klubit kryeqytetas dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Mesfushori i ri ka lënë gjurmë që në ndeshjet e para të sezonit, duke realizuar tri gola ndaj Llapit, Feronikelit ’74 dhe Gjilanit, si dhe duke regjistruar një asistim.
Paraqitjet e tij të mira kanë bërë që ai të marrë edhe ftesën e fundit për Kombëtaren U21 të Kosovës.
Fazlija, i cili gjatë karrierës në grupmoshat e reja ka qenë pjesë e Bayer Leverkusenit dhe Greuther Fürth, në një intervistë për Telegrafin ka folur për përshtatjen e tij te Prishtina, nisjen e sezonit, punën me trajnerin, ftesën te Kosova U21 dhe objektivat e tij me klubin kryeqytetas.
Arjanit, ke ardhur këtë verë te Prishtina dhe shumë shpejt je shndërruar në një lojtar të rëndësishëm për skuadrën. Çfarë mendon se ka qenë çelësi i këtij përshtatjeje kaq të shpejtë?
Fazlija: Për ta thënë të vërtetën, sekreti kryesor ka qenë mikpritja fantastike që kam gjetur në klub, nga stafi, drejtuesit dhe sidomos nga bashkëlojtarët. Puna e palodhur në stërvitje dhe besimi që më ka dhënë trajneri më kanë ndihmuar të tregoj vlerat e mia në fushë.
Ke shënuar tashmë tri gola ndaj Llapit, Feronikelit ’74 dhe Gjilanit, si dhe ke dhënë një asistim. A e ke menduar se do të kishe një impakt kaq të madh kaq herët te Prishtina?
Fazlija: Natyrisht, shpresonim për një nisje shumë të mirë dhe jam i lumtur që munda ta ndihmoj skuadrën. Por, të kem një nisje kaq të mbarë, me gola ndaj kundërshtarëve si Llapi, Feronikeli ’74 apo Gjilani, është një ndjesi e jashtëzakonshme. Kjo më jep edhe më shumë motivim të vazhdoj kështu dhe të jem sa më i dobishëm për skuadrën në çdo ndeshje.
Arjanit Fazlija, me fanellën e Prishtinës
Si po e përjeton punën me trajnerin Orges Shehi?
Fazlija: Shumë mirë. Jam mirënjohës për besimin që trajneri Orges Shehi ka tek unë. Po stërvitemi me disiplinë të madhe dhe kemi përfunduar gjithashtu një periudhë intensive përgatitore. Trajneri është një trajner që i kushton rëndësi të madhe taktikës dhe detajeve të imta.
Ftesa e fundit nga Hekuran Kryeziu për Kombëtaren U21 të Kosovës erdhi pas këtyre paraqitjeve. Çfarë do të thotë për ty kjo ftesë dhe çfarë synon të dëshmosh me U21-shin?
Fazlija: Ndihem i lumtur dhe plot krenari sa herë që thirrem në Kombëtare. Unë kam vendosur për Kosovën që nga U15 dhe kam kaluar nëpër të gjitha grupmoshat, deri te U21-shi. Kemi ndeshje të rëndësishme përpara dhe me Kosovën U21, së bashku me përzgjedhësin Hekuran Kryeziu, kërkojmë të japim maksimumin dhe të arrijmë rezultate sa më të mira. Ftesa e fundit është një konfirmim i ndeshjeve të mira që kam zhvilluar së fundmi dhe sigurisht që më motivon edhe më shumë për të vazhduar me punë. Ëndrra ime e madhe mbetet që një ditë të luaj për Kombëtaren A të Kosovës. Shpresoj që me punë dhe paraqitje të mira ta arrij këtë ëndërr një ditë.
Arjanit Fazlija, në aksion me fanellën e Kosovës
Prishtina është klubi me një histori të madhe në futbollin kosovar. Pas këtyre ndeshjeve të para, cili është objektivi yt personal dhe çfarë dëshiron të arrish me Prishtinën këtë sezon?
Fazlija: Dua të ndërtoj mbi paraqitjet e mia në ndeshjet e para dhe të përmirësohem çdo ditë. Një klub si Prishtina synon gjithmonë maksimumin, por ne mbetemi realistë. Po punojmë fort, e marrim seriozisht çdo ndeshje dhe duam të pozicionohemi në krye të renditjes.