Shqiptar Demaçi, djali i veprimtarit Adem Demaçi, ka bërë thirrje për unitet politik dhe institucional pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Në një reagim në Facebook, Demaçi ka paralajmëruar se situata politike dhe institucionale në Kosovë mund të acarohet edhe më tej pas vendimit të Speciales.
“Të kthjellemi! Se sa mund të acarohet situata politike institucionale e veçanërisht e publikut, mund ta ndjejmë edhe më fort pas vendimeve drakonike të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, për ish-krerët e UÇK-së/institucioneve më të larta shtetërore në Kosovë”, ka shkruar ai.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar apelim.
Demaçi ka kërkuar që, në këtë situatë, konfliktet e brendshme politike të lihen mënjanë dhe institucionet të bashkëpunojnë për tejkalimin e ngërçit.
“Prandaj është koha të kthjellemi, që me maturi e mençuri t’i ngrijmë konfliktet e brendshme dhe të bashkëpunojmë që të dalim nga amullia. T’i kryejmë detyrat e shtëpisë!”, ka shkruar ai.
Sipas Demaçit, zhvillimet e fundit mund të sjellin thellim të polarizimit partiak dhe të përçarjeve, si dhe tensione të reja politike e sociale.
“Nëse as këto ngjarje nuk na bashkojnë, nuk mbetet t’i dhimbsemi kujt!!”, ka theksuar ai.
Ai ka bërë thirrje veçanërisht ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të tregojnë konstruktivitet dhe të kontribuojnë në tejkalimin e situatës institucionale.
“Mbetet pra, që të parët, deputetët e Kuvendit të Kosovës të japin shembull të konstruktivitetit dhe të dalim nga ngërçi institucional. Por edhe popullata duhet të reflektojë dhe të mbështesë me presion konstruktiv zhvillimet politike të tanishme!”, ka përfunduar Demaçi./Telegrafi.