Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se SHBA-ja po punon për një marrëveshje “masive” për blerjen e plehrave bujqësore nga Bjellorusia, duke thënë se produktet bjelloruse do të jenë dukshëm më të lira se furnizimet aktuale nga Kanadaja.
Trump e bëri njoftimin përmes rrjeteve sociale, duke e paraqitur marrëveshjen si një mënyrë për të ulur kostot për fermerët amerikanë.
Në qendër të marrëveshjes është potasi, një kripë e pasur me kalium që përdoret gjerësisht në prodhimin e plehrave kimike dhe ndihmon në rritjen e rendimentit të kulturave bujqësore.
Trump tha se potasi nga Bjellorusia do të kushtojë “dukshëm më pak” se ai që SHBA-ja blen aktualisht nga Kanadaja, transmeton Telegrafi.
Kanadaja është furnizuesi kryesor i potasit për fermerët amerikanë, ndërsa marrëdhëniet tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës janë tensionuar ndjeshëm gjatë periudhës së fundit, përfshirë përplasjet mbi tarifat.
Bjellorusia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të potasit në botë. Megjithatë, Bashkimi Evropian ka ndaluar importet e potasit bjellorus, ndërsa ka ngrirë edhe asetet e kompanisë shtetërore Belaruskali.
Një marrëveshje e madhe me SHBA-në do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike mes Uashingtonit dhe Minskut, veçanërisht duke pasur parasysh sanksionet që kanë prekur industrinë bjelloruse të plehrave.
Njoftimi vjen pas një serie kontaktesh të reja mes administratës amerikane dhe qeverisë së presidentit bjellorus Alexander Lukashenko.
Bisedimet e udhëhequra nga i dërguari amerikan John Coale kanë çuar në lirimin ose faljen e qindra të burgosurve politikë nga autoritetet bjelloruse, ndërsa në këmbim Uashingtoni ka lehtësuar disa prej sanksioneve ndaj kompanive bjelloruse, përfshirë sektorin e potasit.
Afrimi ekonomik mes SHBA-së dhe Bjellorusisë zhvillohet ndërkohë që Minsku vazhdon të jetë një prej aleatëve më të afërt të Moskës.
Bjellorusia i lejoi Rusisë të përdorte territorin e saj si bazë për operacionet që çuan në pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Minsku ka vazhduar gjithashtu bashkëpunimin ushtarak me Moskën dhe së fundmi ka autorizuar zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta bërthamore.
Marrëveshja e mundshme për potasin shihet kështu në një kontekst më të gjerë të përpjekjeve të administratës Trump për të riformuar marrëdhëniet ekonomike me Bjellorusinë, ndërsa njëkohësisht Uashingtoni po përballet me mosmarrëveshje tregtare me Kanadanë, furnizuesin kryesor të SHBA-së për këtë produkt strategjik bujqësor. /Telegrafi/