Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar pas raportimeve për një incident me një grup alpinistësh gjatë rrugëtimit të tyre drejt Gjeravicës.
Shehu ka bërë të ditur se, sipas raportimeve, alpinistët janë penguar pranë zonës së “Liqenit të Zemrës”, ku dyshohet se janë përballur me fjalë të rënda dhe kërcënime nga një bari.
Ai ka sqaruar se, ndonëse incidenti ka ndodhur brenda territorit administrativ të Komunës së Junikut, personi i përfshirë, sipas tij, nuk është banor i kësaj komune.
“Ftoj organet e rendit që ta zbardhin rastin plotësisht, pasi përgjegjësia para ligjit është gjithmonë individuale dhe nuk duhet të bëhet shkas për keqkuptime”, ka deklaruar Shehu.
Kryetari i Junikut ka theksuar se turizmi malor është një prej shtyllave të zhvillimit ekonomik të komunës, ndërsa mikpritjen e ka cilësuar si një vlerë të trashëguar ndër breza.
“Juniku ka qenë dhe mbetet gjithmonë derë e hapur për çdo dashamir të natyrës”, ka thënë Shehu.
Ai u ka bërë thirrje alpinistëve të përfshirë në incident që ta vizitojnë sërish Junikun, duke i ftuar të jenë mysafirë të tij dhe të komunës./Telegrafi/