Adrion Pajaziti mund të mungojë për disa javë pas dëmtimit që pësoi në derbin e Adriatikut ndaj Rijekës të dielën.
Mesfushori shqiptar i Hajdukut dyshohet se ka dëmtuar muskulin kuadriceps, ndërsa ekziston edhe mundësia që të ketë pësuar këputje të tij. Megjithatë, diagnoza përfundimtare ende nuk është konfirmuar.
Pajaziti iu bashkua grumbullimit të Kombëtares së Shqipërisë sipas planit dhe gjatë ditës pritet t’i nënshtrohet ekzaminimeve shtesë, të cilat do të përcaktojnë shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit.
Në rast se konfirmohet këputja e muskulit, vlerësimet fillestare flasin për një mungesë prej tri deri në katër javësh. Një dëmtim i tillë do ta largonte nga tubimi kuqezi Pajazitin, ndërsa do t’i humbiste edhe dy ndeshjet e rëndësishme që e presin Hajdukun pas pushimit ndërkombëtar.
Pajaziti ka pasur një rol të rëndësishëm në skuadrën e Gonzalo Garcias këtë sezon. Ai ka zhvilluar 14 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar një gol dhe duke dhënë dy asistime.
Në kampionat, mesfushori shqiptar i ka nisur nga minuta e parë të shtatë ndeshjet e zhvilluara deri tani.
Tashmë, stafi mjekësor i Kombëtares së Shqipërisë pritet të përcaktojë shkallën e saktë të dëmtimit, pas së cilës do të dihet edhe nëse Pajaziti do të jetë në dispozicion për ndeshjet e rëndësishme që e presin Hajdukun në tetor. /Telegrafi/