Në fshatin Skifteraj të Vitisë janë përkujtuar katër nxënësit martirë, të cilët humbën jetën tragjikisht nga minat në vitin 1999.
Ceremonia përkujtimore është zhvilluar në vendin ku ndodhi tragjedia, ndërsa të pranishmit kanë nderuar kujtimin e katër nxënësve dhe kanë rikujtuar ngjarjen e dhimbshme që la pasoja të rënda për familjet e tyre dhe banorët e kësaj treve.
Homazhe pranë varrezave të viktimave ka bërë edhe zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, së bashku me përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, subjekteve politike, institucioneve, si dhe nxënës e personel të shkollës “Kenan Halimi”.
Në shenjë nderimi, pjesëmarrësit kanë vendosur kurora lulesh dhe kanë nderuar kujtimin e katër nxënësve.
Në këtë ceremoni është theksuar rëndësia e ruajtjes së kujtimit për viktimat dhe e përcjelljes së historisë së dhimbshme të Kosovës te brezat e rinj. /Telegrafi/