Vendimi i mesfushorit Erblin Osmani për ta përfaqësuar Kosovën është hapur si debat në Gjermani, me mediat më të mëdha që kanë komentuar vendimin e talentit të Bayern Munichut.
Osmani është pjesë e listës së Franco Fodas për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Me vetëm 17-vjeç ai e bindi teknikun gjerman dhe përfundimisht i dha përgjigje pozitive, duke u përshëndetur me Gjermaninë, ku ishte kapiten.
“Bild” e ka vlerësuar vendimin e Osmanit si zgjedhje kundër Gjermanisë, ku ndër të tjera ‘shpresojnë’ që Foda të mos e aktivizojë në katër ndeshje.
“Tjetër goditje për Kombëtaren e Gjermanisë. Ylli në ngritje Erblin Osmani ka refuzuar të luajë për Gjermaninë. Ai është ftuar nga Kosova për herë të parë”.
“Dera megjithatë nuk është plotësisht e mbyllur. Ftesa te Kosova nuk e vendos atë përfundimisht te Kosova. Faktori kryesor do të jetë nëse do të përdoret në ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare. Sapo të luajë katër ndeshje për Kosovën, ai nuk mund të luajë më për Gjermaninë”, thuhet ndër të tjera.
Ndërkohë, Kosova do të zhvillojë katër përballje këtë muaj dhe në fillimin e tetorit, ndaj Irlandës, dy herë me Austrinë dhe Izraelin./Telegrafi/