Kosova është pranuar në sistemin ndërkombëtar ATA Carnet, duke u krijuar bizneseve kosovare mundësi të reja për qarkullimin e përkohshëm të mallrave dhe pjesëmarrjen në tregjet ndërkombëtare.
Lajmin e ka bërë të ditur Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), e cila njoftoi se dokumenti ATA Carnet, i njohur si “pasaporta e mallit”, do të lëshohet nga OEK-u.
Përmes këtij dokumenti, kompanitë kosovare do të mund të eksportojnë përkohësisht pajisje profesionale, mostra, mallra dhe produkte që përdoren në panaire, ekspozita dhe aktivitete të tjera jashtë vendit.
Sipas OEK-ut, sistemi ATA Carnet thjeshton procedurat doganore dhe mundëson qarkullimin e përkohshëm të mallrave pa pagesën e detyrimeve doganore dhe taksave të importit, në përputhje me rregullat e vendeve pritëse.
Përfshirja e Kosovës në këtë sistem pritet t’ua lehtësojë kompanive pjesëmarrjen në panaire dhe ekspozita ndërkombëtare, promovimin e produkteve “Made in Kosovo” dhe krijimin e lidhjeve të reja tregtare.
OEK e ka cilësuar anëtarësimin në sistemin ATA Carnet si një hap drejt ndërkombëtarizimit të shërbimeve të saj dhe integrimit më të madh të ekonomisë kosovare në tregjet rajonale, evropiane dhe globale.
“Anëtarësimi në sistemin ATA Carnet ul barrierat administrative dhe ua lehtëson bizneseve tona daljen në tregjet e huaja, duke krijuar mundësi të reja për eksport, investime dhe rritje ekonomike”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.
Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se në ditët në vijim do t’i informojë bizneset për procedurat dhe kushtet për përfitimin dhe përdorimin e dokumentit ATA Carnet. /Telegrafi/