Qindra protestues të ekstremit të djathtë u përleshën me policinë në Hagë të Holandës, duke hedhur fishekzjarre dhe objekte të tjera drejt forcave të rendit.
Dhuna shpërtheu të shtunën në parkun Malieveld, në qendër të qytetit, ku ishte mbledhur një numër i madh demonstruesish. Për shkak të përshkallëzimit të situatës, autoritetet e Hagës vendosën të ndalojnë marshimin.
Ministri i Drejtësisë, David van Weel, deklaroi se disa protestues bënë përshëndetje naziste, brohoritën slogane antisemitike, sulmuan policinë dhe hodhën fishekzjarre drejt efektivëve të njësive të ndërhyrjes.
“Është e rëndësishme që ndaj kësaj të ndërmerret një veprim i vendosur. Faleminderit të gjithë oficerëve të policisë që edhe një herë qëndrojnë në mbrojtje të shtetit të së drejtës”, shkroi ai në X.
Policia arrestoi disa persona pas përleshjeve. Incidenti ndodhi një vit pas një tjetër demonstrate të krahut të djathtë në Hagë, e cila gjithashtu përfundoi me dhunë, transmeton Telegrafi.
Qindra persona morën pjesë në protestë, shumë prej tyre të veshur me të zeza dhe duke valëvitur flamuj me mesazhe në favor të politikave më të ashpra ndaj azilkërkuesve.
Një grup protestuesish u drejtua më pas drejt kompleksit të parlamentit holandez, por policia i ndaloi përpara se të mund të hynin në ndërtesë.
Për të shpërndarë turmën, forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Lideri i partisë centriste D66, Rob Jetten, i cili më vonë u bë kryeministër i Holandës, dënoi dhunën dhe sulmet ndaj institucioneve politike.
“Plehra. Mbajini duart larg partive politike. Nëse mendoni se mund të na frikësoni, e keni gabim. Ne nuk do t’i lejojmë kurrë protestuesit ekstremistë të na e marrin vendin tonë të bukur”, shkroi Jetten në X. /Telegrafi/