Katër persona janë përfshirë në një përleshje të shtunën në Prizren, ku dyshohet se janë përdorur armë zjarri dhe thikë. Gjatë ndërhyrjes për qetësimin e situatës, një zyrtar policor është lënduar me mjet të mprehtë.
Rasti ka ndodhur rreth orës 12:50 në rrugën “Brigada 125”, në afërsi të hyrjes së autostradës “Prizren–Jug”.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur për Telegrafin se në vendin e ngjarjes ndodhej edhe një zyrtar policor – hetues, i cili ka ndërhyrë për ta vënë situatën nën kontroll.
Sipas policisë, gjatë përleshjes njëri nga të dyshuarit dyshohet se kishte në posedim një armë zjarri, ndërsa një tjetër një thikë.
“Gjatë ndërhyrjes, zyrtari policor ka pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë, mirëpo ka arritur ta neutralizojë situatën. Në vendngjarje janë sekuestruar arma e zjarrit dhe thika”, ka deklaruar Bytyqi.
Me arritjen e njësive policore, të katër të dyshuarit janë arrestuar.
Pas konsultimit me prokurorin e shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Rasti mbetet nën hetime./Telegrafi/