Përzgjedhësi i Kombëtares së Francës, Zinedine Zidane, i cili e fitoi Topin e Artë në vitin 1998, e di më së miri se çfarë përfaqëson ky çmim prestigjioz individual për futbollistët e nivelit të lartë.
Gjatë konferencës për media të premten, ku prezantoi listën e tij të parë si përzgjedhës i Francës, Zidane u pyet edhe për garën e sivjetme për Topin e Artë.
Tre lojtarë të rëndësishëm të skuadrës së tij së re, Kylian Mbappe, Ousmane Dembele dhe ylli i Bayern Munichut, Michael Olise, janë në garë për këtë çmim.
Duke folur për diskutimet rreth garës mes lojtarëve të tij, Zidane dha këndvështrimin e tij.
“Unë nuk dua ta mbyll këtë diskutim. Futbolli është një gjë e përditshme, janë debatet dhe kjo është pjesë e lojës”, ka thënë Zidane.
“E di se çfarë do të thotë të fitosh Topin e Artë dhe çdo lojtar dëshiron ta fitojë atë. Ka diskutime dhe kjo është normale. Mendoj se kjo po ndodh kryesisht jashtë klubit, por brenda grupit nuk do të ketë probleme”.
“Ne do të fokusohemi te zhvillimi i këtyre katër ndeshjeve, duke filluar me Turqinë”, shtoi ai.
Përzgjedhësi i sapoemëruar bëri të qartë se diskutimet jashtë skuadrës nuk do të ndikojnë në harmoninë e grupit, teksa vëmendja do të jetë e përqendruar te katër ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve./Telegrafi/