Kina ka ndërtuar një ashensor të jashtëm me lartësi prej 288 metrash në provincën Yunnan, me qëllim që fëmijët nga një fshat i largët malor të mund të arrijnë më lehtë në shkollën e tyre.
Ashensori i ri, i quajtur Fuyao Ladder, është ndërtuar pranë një shkëmbi vertikal dhe është i dyti në këtë zonë. Në vitin 2022 ishte inauguruar një ashensor tjetër, 268 metra i lartë, për fëmijët e fshatit Nizhuhe, të cilët më parë duhej të ngjiteshin për rreth tri orë nëpër terren të vështirë për të arritur në shkollë.
Pas hapjes së ashensorit të parë, zona u bë edhe atraksion turistik, duke shkaktuar radhë të gjata dhe duke e bërë kapacitetin e tij të pamjaftueshëm. Për këtë arsye, autoritetet ndërtuan ashensorin e dytë panoramik pranë të parit.
– YouTube www.youtube.com
Ashensori i ri është më i shpejtë dhe më i gjerë, ndërsa boshti i tij është 20 metra më i gjatë. Ai ngrihet 288 metra mbi fundin e kanionit, duke u renditur ndër ashensorët më mbresëlënës të jashtëm në botë.
Fëmijët ende duhet të përdorin një autobus për të arritur te ashensori dhe më pas një teleferik, por i gjithë udhëtimi drejt shkollës tani zgjat rreth 30 minuta, në vend të tri orëve që u nevojiteshin më parë. Më herët, rruga vajtje-ardhje mund të zgjaste deri në gjashtë orë.
Një nxënës tha për Xinhua se më parë duhej të mbante gjërat e tij dhe të ecte për tri orë në rrugët malore, ku rrezikonte edhe të rrëzohej. Me dy ashensorët, një nga rrugët më të lodhshme dhe të rrezikshme për në shkollë është bërë shumë më e lehtë. /Telegrafi/