Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se po vazhdon investimet në infrastrukturë në Topanicë dhe Karaçevë të Epërme.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Drejtorin e Investimeve Kapitale, Blerim Murina, Kryesuesen e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, drejtorin Zotrim Kastrati dhe stafin komunal, ka vizituar punimet që po zhvillohen në këto dy lokalitete.
Në Topanicë është duke vazhduar asfaltimi i rrugëve, si pjesë e vazhdimit të një projekti të mëparshëm, me vlerë prej 203 mijë eurosh.
Sipas Komunës, janë asfaltuar “Rruga e Lugit të Demës”, “Rruga Mulla Rexhepi” dhe “Rruga Jakup Jakupi”.
Komuna ka deklaruar se këto investime synojnë përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të sigurta dhe më të përshtatshme për banorët.
Ndërkaq, në Karaçevë të Epërme janë realizuar punime për rregullimin e trotuarit dhe varrezave, me vlerë prej 113 mijë e 996 eurosh.
Sipas njoftimit, investimi ka për qëllim sistemimin dhe përmirësimin e kësaj hapësire me rëndësi për komunitetin.
Gjatë vizitës, kryetari Rahimaj ka bashkëbiseduar edhe me qytetarët, ndërsa është shprehur i kënaqur me realizimin e projekteve.
Ai ka premtuar se Komuna e Kamenicës do të vazhdojë investimet në infrastrukturë dhe përmirësimin e hapësirave publike, me synim krijimin e kushteve më të mira dhe ngritjen e cilësisë së jetës për qytetarët në të gjitha lokalitetet e komunës. /Telegrafi/