Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka njoftuar se nuk është subjekt i aktakuzës së ngritur lidhur me një aktivitet prokurimi të këtij institucioni.
Përmes një sqarimi për opinionin publik, Spitali ka bërë të ditur se me operatorin ekonomik ndaj të cilit është ngritur aktakuza nuk ka lidhur kontratë, as në të kaluarën dhe as në kuadër të aktivitetit të prokurimit për të cilin bëhet fjalë.
Sipas Spitalit, aktiviteti i prokurimit kishte të bënte me “Furnizim me libra të Protokollit”, ndërsa operatori ekonomik në fjalë kishte dorëzuar ofertë në kuadër të thirrjes publike.
Pas procesit të vlerësimit, oferta e operatorit është eliminuar si e papërgjegjshme, në përputhje me kriteret dhe kërkesat e përcaktuara në Dosjen e Tenderit dhe Njoftimin për Kontratë.
Spitali ka bërë të ditur se, pas pranimit të kërkesave zyrtare nga organet kompetente të rendit dhe drejtësisë, ka bashkëpunuar menjëherë dhe plotësisht me organet hetimore, duke vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar lidhur me këtë procedurë.
“Spitali i Përgjithshëm i Pejës mbetet i përkushtuar ndaj respektimit të ligjshmërisë, transparencës institucionale dhe përgjegjshmërisë në çdo proces që lidhet me menaxhimin e fondeve publike”, thuhet në sqarim. /Telegrafi/