KRU “Hidrodrini” në Pejë u ka bërë thirrje të përsëritur konsumatorëve të B.T. “Jarina” që sa më shpejt të realizojnë kyçjet brenda shtëpive në sistemin e ri të ujësjellësit.
Kompania njoftoi se pas disa dekadash është realizuar projekti investiv për sistemin e ri furnizues të ujit në këtë zonë, përmes të cilit po bëhet zëvendësimi i gypave të vjetër të azbestit me gypa të rinj prej polietileni.
Sipas KRU “Hidrodrini”, gypi i ri tashmë është vendosur përgjatë rrugës publike, ndërsa rrjeti i vjetër, i cili në pjesën më të madhe të kësaj zone kalon nëpër prona private, do të ndërpritet përfundimisht.
“Investimi rrit, cilësinë, sasinë dhe kualitetin e ujit!”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
KRU “Hidrodrini” ka bërë të ditur se ekipet teknike do të jenë vazhdimisht në terren për të monitoruar procesin dhe për të siguruar mbarëvajtjen e punimeve.
Kompania u ka bërë thirrje banorëve për bashkëpunim dhe mirëkuptim, duke kërkuar që kyçjet në sistemin e ri të realizohen sa më shpejt. /Telegrafi/