Nxënësit e shkollës “Kadri Kusari” në Gjakovë janë informuar për rëndësinë e bujqësisë organike, prodhimet vendore dhe mundësitë që ofron ky sektor për të rinjtë.
Sesioni edukativ është organizuar nga shoqata “Organika”, në kuadër të fushatës #TokaJoneShijaJuaj, pjesë e projektit EREA, që synon promovimin e prodhimeve bujqësore vendore dhe informimin e të rinjve për sektorin e bujqësisë.
Gjatë ligjëratës, drejtori ekzekutiv i shoqatës “Organika”, Faton Nagavci, prezantoi karakteristikat e prodhimeve organike dhe rëndësinë e këtij sektori për fermerët, konsumatorët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në Kosovë.
Nxënësit u informuan edhe për mundësitë që ofron bujqësia organike, si dhe për rëndësinë e mbështetjes dhe konsumit të produkteve vendore.
Një pjesë e sesionit iu kushtua procesit të certifikimit dhe etiketimit të produkteve organike, me ç’rast nxënësit morën informacione mbi mënyrën se si këto produkte prodhohen dhe identifikohen në treg.
Interesimi i nxënësve nxiti diskutim rreth bujqësisë organike dhe rolit të saj në zhvillimin e ardhshëm të sektorit agro-ushqimor në Kosovë.
Sipas organizatorëve, aktivitete të tilla synojnë t’i afrojnë të rinjtë me sektorin e bujqësisë organike, duke i informuar për rëndësinë e prodhimit të qëndrueshëm, konsumit të produkteve vendore dhe mundësive profesionale që ofron ky sektor.
Shoqata “Organika” ka falënderuar drejtuesit, profesorët dhe nxënësit e shkollës “Kadri Kusari” për bashkëpunimin dhe mikpritjen.
Projekti EREA – Fuqizimi i Ekonomisë Rurale në Bujqësi zbatohet nga Caritasi Zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.

