Raporti i prezantuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të arriturat e qeverisjes së tij, vazhdon të kontestohet nga shumë ekonomistë dhe njohës të çështjeve politike.
Për raportin 57-faqësh të publikuar nga Kurti një ditë më parë, kritika ka adresuar edhe profesori dhe opinionisti, Rrahman Paçarizi.
Në Rubikon të Klan Kosovës, Paçarizi ka vënë në pikëpyetje disa prej shifrave dhe rezultateve të paraqitura nga ekzekutivii vendit.
“Flitet për 730 milionë investime kapitale, çfarë shifre 730 milionë, por kjo për 4 vjet, 5 vjet. Por, ti kur e ndanë në 182 milionë në vit, nuk është kurfarë investimi kapital 180 milionë në vit, kurrfarë investimi kapital për një shtet”, shprehet ai.
Kritika ka shprehur edhe për pretendimin për katër miliardë euro investime të huaja direkte, duke thënë se në këtë shumë mund të jenë përfshirë edhe remitancat dhe blerjet e banesave nga mërgimtarët, duke e quajtur këtë pretendim si qesharak.
“Ky nuk është investim i huaj direkt, mërgata jonë nuk është e huaja, është mërgatë organike e cila merr pjesë aktive në gjithçka aktive që ndodh në Kosovë, përfshirë votimin që është me ligj, shumë mirë, merr pjesë në zhvillimet shoqërore këtu që prap mendoj që është shumë mirë dhe blen banesa për vete. Por ai është kapital i vdekur dmth i blen qato është investim i njëhershëm i cili nuk prodhon kurgjo tjetër, nuk dmth që nuk e ndihmon vendin mos t’keqkuptohemi, kjo është ndihmë e madhe për vendin”, thekson Paçarizi.
Ai ka theksuar se kontributi i diasporës është i rëndësishëm për vendin, por ka dallim mes këtij kontributi dhe investimeve të huaja që gjenerojnë aktivitet të ri ekonomik.
“Me quajt investim të huaj direkt blerjen e banesave ose remitancat, kjo është përtej qesharakes ose është manipulim i thjeshtë, qysh janë manipulim një shumicë e madhe prej atyre që janë paraqit këtu”, ka deklaruar Paçarizi.

