Kompania Rajonale e Mbeturinave “Çabrati” ka njoftuar qytetarët e Gjakovës se ka hyrë në fuqi çmimorja e re për shërbimet e grumbullimit, transportit dhe trajtimit të mbeturinave.
Sipas njoftimit, ndryshimi i tarifave vjen pas vendimit të Kuvendit Komunal të Gjakovës, të marrë më 30 korrik 2026.
KRM “Çabrati” ka bërë të ditur se rishikimi i tarifave synon përafrimin e tyre me kostot reale të shërbimit, garantimin e vazhdimësisë së mbulimit në zonat urbane dhe rurale, si dhe mundësimin e investimeve në pajisje, infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore.
Baza e re tarifore përcakton tarifa sipas kategorisë së konsumatorëve – amvisëri, biznese dhe institucione – ndërsa synohet edhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit dhe praktikave mjedisore.
KRM “Çabrati” ka theksuar se rritja e tarifës nuk përfshin qytetarët që janë përfitues të Skemave të Asistencës Sociale. /Telegrafi/