Pas vitesh proces gjyqësor, nesër, më 16 shtator, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Për vite me radhë, lufta e Kosovës është rrëfyer përmes historisë, politikës dhe kujtesës kolektive. Tashmë, këtij rrëfimi pritet t’i shtohet edhe një kapitull gjyqësor.
Prokuroria e Specializuar ka kërkuar dënimin e secilit prej katër të akuzuarve me nga 45 vjet burgim për krime lufte.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi i kanë mohuar akuzat ndaj tyre dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Së fundmi, për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Prokuroria ka kërkuar edhe gjashtë vjet burgim për akuzat që lidhen me pengimin e drejtësisë. Edhe ndaj kësaj akuze, mbrojtja e Thaçit ka argumentuar se nuk qëndron.
Gjatë procesit gjyqësor, përballë pretendimeve të Prokurorisë, mbrojtja solli disa prej emrave më të njohur ndërkombëtarë, të cilët kishin qenë të përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimet e viteve 1998–1999 gjatë luftës në Kosovë.
Një prej dëshmive që mori vëmendjen më të madhe ishte ajo e gjeneralit amerikan Wesley Clark.
Ish-komandanti suprem i NATO-s, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të Aleancës më 1999 kundër forcave jugosllave, dëshmoi për dy ditë në Hagë.
Mesazhi i tij ishte i qartë: Hashim Thaçi nuk kishte përgjegjësi për aktet individuale të dhunës dhe hakmarrjes që kishin ndodhur në Kosovë.
Clark shkoi edhe më tej në dëshminë e tij.
Ai deklaroi se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishin terroristë, por njerëz që po luftonin kundër një regjimi të padrejtë dhe për lirinë e vendit.
Në fund të dëshmisë së tij, Clark tha se edhe pasi e kishte ndjekur këtë proces gjyqësor, vazhdonte t’i qëndronte bindjes se Hashim Thaçi nuk ishte përgjegjës për aktet individuale të dhunës në Kosovë.
Pas tij dëshmoi James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit dhe një prej zyrtarëve që kishte qenë drejtpërdrejt i përfshirë në diplomacinë amerikane gjatë luftës në Kosovë dhe në negociatat e Rambujesë.
Rubin e përshkroi Hashim Thaçin si “fytyrën politike” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas dëshmisë së tij, Thaçi nuk kishte kontroll dhe as komandë efektive mbi komandantët e zonave të UÇK-së.
Rubin foli gjithashtu për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara e shihnin rolin e Thaçit gjatë asaj periudhe, si dhe për raportet mes strukturës politike dhe asaj ushtarake të UÇK-së.
Përveç Wesley Clarkut dhe James Rubinit, në kuadër të çështjes së mbrojtjes dëshmuan edhe diplomatë, ekspertë dhe ish-zyrtarë ndërkombëtarë që kishin njohuri të drejtpërdrejta për zhvillimet në Kosovë gjatë viteve 1998–1999.
Mes tyre ishin Christopher Hill, James Covey, Paul Williams, John Duncan dhe Michael Durkee.
Dëshmitë e tyre u përdorën nga mbrojtja për të paraqitur versionin e saj lidhur me strukturën e UÇK-së, rolin e Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë, si dhe zhvillimet politike e ushtarake gjatë luftës.
Në anën tjetër, Prokuroria ka paraqitur gjatë procesit pretendimet e saj se katër të akuzuarit mbajnë përgjegjësi penale për krimet e përfshira në aktakuzë.
Sipas Prokurorisë, përgjegjësia e të akuzuarve lidhet me pretendimet për krime të kryera në kuadër të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.
Mbrojtja, në anën tjetër, ka argumentuar se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësinë penale individuale të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Të katër të akuzuarit i kanë hedhur poshtë akuzat dhe kanë kërkuar që të shpallen të pafajshëm.
Pikërisht përballja mes këtyre dy versioneve ka qenë në qendër të këtij procesi gjyqësor, i cili është ndjekur me vëmendje të madhe në Kosovë dhe jashtë saj.
Nesër, më 16 shtator, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Vendimi do të jetë një prej momenteve më të rëndësishme të këtij procesi, i cili prej vitesh ka qenë në fokus të opinionit publik në Kosovë.
Edili mbështet këtë mbulim special nga Haga. /Telegrafi/