Përzgjedhësi i ri i Gjermanisë Jurgen Klopp ka vendosur të bëjë ndryshime në listën e portierëve, sidoqoftë sërish nuk ka vend për numrin 1 të Copenhages, Diant Ramajn.
Në këtë listë, “BILD” njofton se nuk do të jetë as portieri i Hoffenheimit Baumann, pavarësisht se më herët kishte qenë portieri i parë i Gjermanisë nën drejtimin e ish-trajnerit Julian Nagelsmann.
Ai e kishte mbajtur për një periudhë të gjatë pozitën e titullarit, përpara se të humbte vendin dhe të kalonte pas Manuel Neuerit pak para Kupës së Botës.
Sipas gazetës gjermane, Klopp duket se është gati të ndryshojë hierarkinë e portierëve. Marc-Andre ter Stegen i Ajaxit pritet të jetë zgjedhja e parë, ndërsa Jonas Urbig dhe Alexander Nubel janë ndër kandidatët kryesorë për pozitat rezervë.
Edhe Finn Dahmen i Augsburgut mund të marrë një ftesë surprizuese.
Klopp tashmë ka qenë në kontakt me trajnerin e Hoffenheimit, Christian Ilzer, i cili konfirmoi se trajneri i ri i Gjermanisë ka nisur të komunikojë me trajnerët e klubeve, teksa po njihet më nga afër me lojtarët dhe ekipet.
“Ai sigurohet që të ketë një shkëmbim të vërtetë, në mënyrë që njerëzit të njihen me njëri-tjetrin”.
“Te Hoffenheimi, ndoshta nuk kemi një numër kaq të madh të kandidatëve të qartë për Kombëtaren, si Stuttgart apo Bayern, për shembull. E megjithatë, ai po kërkon aktivisht kontakt me të gjithë trajnerët e klubeve”.
Klopp pritet ta bëjë zyrtarisht publike listën e tij të parë të Kombëtares së Gjermanisë të enjten, ku për herë të parë pritet të ftohet shqiptari Brajan Gruda./Telegrafi/