Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur keqardhje për tërheqjen e profesorit Bekim Sejdiu nga kandidatura për president të Kosovës, duke akuzuar një pjesë të deputetëve të opozitës për bllokimin e procesit.
Në një reagim, LVV-ja ka thënë se Sejdiu ishte kandidat i përbashkët i dalë nga marrëveshja ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, e arritur pas bisedimeve politike me synimin për t’i dhënë vendit një zgjidhje institucionale.
Sipas LVV-së, kandidatura e Sejdiut krijoi mundësinë që presidenti të zgjidhej në Kuvend dhe Kosova të shmangte një tjetër periudhë pasigurie institucionale.
“Lëvizja Vetëvendosje i qëndroi kësaj marrëveshjeje dhe kandidatit të përbashkët deri në fund”, thuhet në reagim.
Megjithatë, partia në pushtet ka deklaruar se pas arritjes së marrëveshjes, një pjesë e deputetëve të LDK-së doli kundër kandidaturës së miratuar edhe nga vetë partia e tyre.
LVV-ja ka kritikuar gjithashtu PDK-në dhe Aleancën, të cilat, sipas saj, u deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Kështu u krijuan rrethanat që e pamundësuan zgjedhjen e Presidentit në Kuvend”, ka thënë LVV-ja.
Partia ka vlerësuar se për muaj me radhë janë kërkuar dialogu, kompromisi dhe marrëveshja, ndërsa pasi këto u arritën, procesi u pengua në momentin kur marrëveshja duhej të merrte votën e Kuvendit.
Sipas LVV-së, deputetët mund të votojnë pro ose kundër një kandidati, por përdorimi i mospjesëmarrjes për ta pamundësuar votimin përbën, siç ka thënë kjo parti, “pengim të vetë procesit kushtetues” dhe rrezikon ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të përsëritura.
Në fund, LVV-ja e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin e treguar gjatë këtij procesi.
“Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët. E pati mundësinë që çështja e Presidentit të zgjidhej në Kuvend. Por u bllokua, sërish”, përfundon reagimi./Telegrafi/