Platforma “Liria ka emër” ka falënderuar qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen masive në “Marshin për Liri”, të mbajtur më 12 shtator në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen në Hagë.
Në konferencën për media në Prishtinë, përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, e cilësoi marshin si një aktivitet dinjitoz dhe madhështor.
“Mesazhi ishte i qartë, si në fotografi ashtu edhe në përmbajtje: Populli i Kosovës i shpalli çlirimtarët plotësisht të pafajshëm”, tha Hoxha.
Ajo shprehu mirënjohje për organet e sigurisë për bashkëpunimin, si dhe për kompanitë dhe të gjithë kontribuuesit që ndihmuan në organizimin e marshit.
Hoxha falënderoi gjithashtu komunat për organizimin e “Orëve të Pritjes”, si dhe qytetarët dhe organizatat që i kanë vendosur ato në mënyrë vullnetare, në kuadër të aktiviteteve para marshit.
Mirënjohje të veçantë ajo shprehu edhe për organizatat e dala nga lufta dhe veteranët e UÇK-së, për aktivitetet e përbashkëta në shtatë Zonat Operative, nën siglën “Zjarret e Lirisë”.
Platforma “Liria ka emër” falënderoi gjithashtu bashkësitë fetare, grupet kulturore e sportive, komunitetet joshumicë, partitë politike dhe bizneset që kanë mbështetur në vazhdimësi marshin dhe aktivitetet e saj.
Aktivitetet zhvendosen në Hagë
Gjatë ditës së sotme, platforma ka marrë pjesë në konferencën “Lufta për UÇK-në”, ku akademikë, përfaqësues të universiteteve dhe të shoqërisë civile kanë diskutuar për kujtesën kolektive, historiografinë, rrëfimet për luftën dhe riinterpretimet që po derivohen nga proceset juridike.
Nga 15 shtatori, aktivitetet e platformës do të zhvendosen në Hagë, ku së bashku me diasporën shqiptare do të organizohet aktiviteti “Nata e Pritjes”.
Më 16 shtator, kur pritet vendimi përfundimtar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, platforma ka shprehur shpresën për një ditë feste për Kosovën.
Në përmbyllje, Eliza Hoxha falënderoi mediat për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre gjatë rrugëtimit gjashtëvjeçar të platformës “Liria ka emër”.
“Faleminderit për bashkërrugëtimin dhe mbështetjen tuaj tash e gjashtë vjet”, përfundoi Hoxha.