Britma, lot dhe panik në bordin e një avioni të Turkish Airlines, teksa pasagjerët përjetuan momente tmerri gjatë turbulencave të forta, ndërsa piloti tentoi disa herë të ulte avionin në mes të një stuhie.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë pasagjerë të tmerruar duke bërtitur dhe qarë, ndërsa Airbus A321 i Turkish Airlines përpiqej të ulej për herë të tretë në aeroportin Tunis-Carthage të Tunizisë.
Në një moment, një pasagjer dëgjohet duke bërtitur: “Do të vdesim!”, ndërsa të tjerë ulërijnë nga frika teksa avioni përjeton lëkundje të forta dhe ndjesinë e rënies së menjëhershme.
Fluturimi ishte nisur nga Stambolli më 10 shtator dhe po i afrohej Tunizisë kur hasi një stuhi të fuqishme.
Sipas dëshmive të pasagjerëve, avioni filloi të “tundej shumë fort”, ndërsa situata u përkeqësua gjatë përpjekjeve për ulje. Disa pasagjerë thuhet se i kërkuan pilotit të ndryshonte destinacion dhe të ulej në një aeroport tjetër, në mënyrë që të shmangnin turbulencat.
Një turiste rusishtfolëse, e cila publikoi fillimisht videon, shkroi se nuk kishte përjetuar kurrë më parë një frikë të tillë.
“Asnjëherë në jetën time nuk jam frikësuar kaq shumë për jetën time”, tha ajo.
Pas disa përpjekjeve, avioni u ridrejtua drejt aeroportit Enfidha-Hammamet, rreth 90 kilometra në jug të Tunisit.
Kur aeroplani u ul më në fund në mënyrë të sigurt, pasagjerët shpërthyen në duartrokitje, duke shprehur lehtësimin pas momenteve të tensionuara.
Turbulencat shkaktohen nga ndryshimet në qarkullimin e rrymave të ajrit dhe presionit rreth avionit dhe, në përgjithësi, nuk konsiderohen si një rrezik madhor për sigurinë e fluturimit.
Megjithatë, një studim i Universitetit të Reading, i publikuar në vitin 2023, ka treguar se rritja e temperaturave dhe ndryshimet në rrymat e shpejta ajrore, të njohura si jet stream, kanë shtuar ndjeshëm turbulencat në atmosferë.
Sipas hulumtimit, turbulencat e rënda u rritën me 55 për qind ndërmjet viteve 1979 dhe 2020, ndërsa pritet që në të ardhmen ato të bëhen edhe më intensive, më të shpeshta dhe të zgjasin më shumë.
Ngrohja globale ndikon në jet stream – një rrymë e ngushtë ajri që lëviz me shpejtësi të madhe dhe përgjatë së cilës avionët shpesh përfitojnë nga rrymat e ajrit për të reduktuar kohën e fluturimit.
Pamjet e incidenteve të tilla po shfaqen gjithnjë e më shpesh në rrjetet sociale, pasi pasagjerët regjistrojnë me telefonat e tyre momentet e turbulencave ekstreme, ku edhe stjuardesat dhe pijet e nxehta mund të përfundojnë në ajër. /Telegrafi/