Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti ka prezantuar para deputetëve ekspozenë e tij për mandatin e ardhshëm qeverisës.
Kurti ka thënë se vizioni i Qeverisë së re do të jetë “punë për qytetarin e mbrojtje për familjen”.
Ai ka deklaruar se gjatë pesë vjetëve e gjysmë nën qeverisjen e tij, Kosova ka pasur një rritje mesatare ekonomike prej 6 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Sipas Kurtit, rritja ekonomike do të shoqërohet edhe me rritje të pagave dhe mbështetje më të madhe për familjet.
Mandatari për kryeministër ka deklaruar se paga mesatare në sektorin publik pritet të kalojë mbi 1 mijë euro në muaj.
“Punëtorët, paga minimale prej 500 eurosh nuk do të tatohet, me rritjen ekonomike do të vazhdojë edhe rritja e pagave në sektorin publik, ku paga mesatare sipas pritjeve të tanishme do ta kalojë shumën prej 1 mijë eurosh në muaj”, ka thënë Kurti.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu pagën e 14-të për punëtorët e sektorit publik.
Kurti ka thënë se raporti mes pagës më të ulët dhe pagës më të lartë është përmirësuar nga 20 me 1, sa tha se e kishte gjetur, në 4 me 1.
Kurti ka paralajmëruar edhe dyfishimin e shtesave për fëmijët, në përputhje me buxhetin e Qeverisë së re.
Ai ka thënë se për familjet me tre ose më shumë fëmijë, shtesat do të rriten nga 45 në 90 euro për çdo fëmijë.
“Nga 45 sa janë për çdo fëmijë për familjet me tre e më tepër fëmijë, në 90 euro. Me këtë rritje lëmë prapë edhe disa shtete të Bashkimit Evropian sa i përket shtesave për fëmijët”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se gjatë mandatit të kaluar është punuar për nënat, fëmijët, veriun, ushtrinë dhe bujqësinë dhe se këto politika do të vazhdojnë edhe në mandatin e ri.
Kurti ka paralajmëruar se do të hiqet taksa doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian.
Ai ka deklaruar gjithashtu se ligji për çmimet tavan do të synojë mbrojtjen e qytetarëve dhe tregtarëve të ndershëm nga abuzimi.
Në fushën e teknologjisë, Kurti ka paralajmëruar zhvillimin e një valute digjitale të Kosovës, e mbështetur në teknologjinë blockchain.
Sipas tij, valuta digjitale do të mund të përdoret për pagesa dhe shërbime digjitale.
Kurti ka bërë të ditur edhe se synohet ndërtimi i Kullës së Teknologjisë Informative në Prishtinë.
Kurti ka thënë se Qeveria e re do të vazhdojë të fokusohet në rritjen ekonomike, mirëqenien e qytetarëve dhe mbështetjen e familjeve.
Ai ka theksuar se prioritetet do të jenë edhe mbështetja e nënave dhe fëmijëve, rritja e pagave, zhvillimi i bujqësisë, forcimi i ushtrisë dhe zhvillimi i veriut të Kosovës.
Këto zotime Kurti i ka prezantuar gjatë ekspozesë së tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancën ku pritet të votohet për përbërjen e Qeverisë së re. /Telegrafi/