Dhjetëra mijëra protestues morën pjesë në demonstrata anembanë Gjermanisë të shtunën kundër partisë së ekstremit të djathtë AfD, pasi kjo parti shënoi një fitore dërrmuese në zgjedhjet rajonale javën e kaluar.
Partia “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) doli e para në votime në rajonin lindor të Saksonisë-Anhalt dhe tani po përpiqet të formojë qeverinë e parë rajonale të ekstremit të djathtë në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore.
Rreth 150,000 demonstrues dolën në rrugë në rreth 20 qytete të vendit, përfshirë Berlinin, Hamburgun dhe Mynihun, në protesta të organizuara nga grupi “Pruef” – i cili avokon për ndalimin e AfD-së – sipas vetë organizatorëve, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ata mbanin pankarta me slogane si “Ndalojeni AfD-ja tani” dhe “Demokracia nuk ka nevojë për alternativa”.
“Një pjesë e gjerë e shoqërisë civile po del në rrugë për të penguar armiqtë e kushtetutës, pra AfD-në në Saksoni-Anhalt, që të marrin pushtetin qeverisës”, tha Christoph Bautz, kreu i grupit të fushatës “Campact”, i cili gjithashtu mori pjesë në demonstrata.
Ngritja e AfD-së ka shqetësuar shumë njerëz që mendojnë se Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për të shlyer të kaluarën e saj naziste, dhe janë shtuar thirrjet që partitë kryesore politike të kërkojnë ndalimin e këtij grupi.
Megjithatë, pengesat për një ndalim zyrtar janë të mëdha në Gjermani dhe Friedrich Merz, nga partia e qendrës së djathtë CDU, mbetet skeptik për ndjekjen e një qasjeje të tillë.
Në Berlin, policia njoftoi se disa mijëra protestues morën pjesë në demonstrata të ndryshme.
AfD-ja organizoi një kundër-demonstratë në kryeqytet, ku mori pjesë Kristin Brinker, kandidatja kryesore e partisë për zgjedhjet rajonale që do të mbahen në Berlin fundjavën e ardhshme.
“Campact” raportoi se në Hamburg kishte rreth 25,000 demonstrues, ndërsa në Mynih 12,000.
Partia kundër imigracionit mori gati 44 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës së kaluar në Saksoni-Anhalt, krahasuar me 17 për qind që mori CDU-ja.
Asaj i munguan vetëm tri mandate për të siguruar shumicën absolute dhe tashmë ka nisur bisedimet me grupe të tjera e deputetë, në përpjekje për të formuar qeverinë rajonale. /Telegrafi/