Në Prishtinë sot do të mbahet “Marshi për Liri”, i organizuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Marshi, i organizuar nga platforma “Liria ka emër”, nis në orën 14:00, ndërsa pjesëmarrësit pritet të mblidhen në qendër të kryeqytetit.
Aktiviteti zhvillohet vetëm pak ditë para shpalljes së vendimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, duke filluar nga ora 14:00, do të mbahen masa të veçanta të sigurisë për mbarëvajtjen e marshit solidarizues paqësor në sheshet kryesore të kryeqytetit.
Marshi do të zhvillohet në sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nëna Terezë” dhe “Skënderbeu”, ndërsa Policia ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve, qytetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Raportohet se njësitë policore do të angazhohen para, gjatë dhe deri në përfundim të aktivitetit, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike dhe sigurimit të mbarëvajtjes së marshit.
Për shkak të lëvizjes së pjesëmarrësve, priten kufizime dhe ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa nga rrugët e prekura.
Sipas planifikimeve policore, rrugët që do të bllokohen për qarkullim janë:
Agim Ramadani;
Luan Haradinaj;
Enver Zymberi.
Policia ka paralajmëruar se, varësisht nga nevojat operative, mund të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit edhe në rrugë të tjera.
Gjithashtu, njësitë patrulluese të trafikut do të angazhohen për të menaxhuar qarkullimin dhe, në rast nevoje, për të orientuar automjetet drejt rrugëve alternative.
Policia e Kosovës ka theksuar se e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehje të lirë përmes tubimeve dhe marshimeve të qeta, ndërsa ka bërë thirrje që pjesëmarrësit dhe qytetarët të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë.
“Siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në fund, Policia falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke kërkuar që marshi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente.