Katër raste të dhunës në familje dhe përleshjeve mes personave janë raportuar të enjten në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Graqanicë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, në Prishtinë, rreth orës 08:00, është arrestuar një burrë kosovar, i dyshuar se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje kosovare.
Pas intervistimit të palëve të përfshira, me vendim të prokurorit dhe me pëlqimin e viktimës, ajo është dërguar në strehimore. I dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër është raportuar në Fushë Kosovë, ku një burrë kosovar dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje kosovare. Me vendim të prokurorit, rasti është duke u hetuar në procedurë të rregullt.
Në Graqanicë, një grua kosovare dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është dërguar në strehimore. Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar.
Po ashtu, në Fushë Kosovë janë raportuar edhe dy burra kosovarë të cilët, pas një mosmarrëveshjeje, janë përleshur fizikisht me njëri-tjetrin. Të dy kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me rrethanat e rasteve, ndërsa hetimet për rastet përkatëse janë duke vazhduar. /Telegrafi/