Sulmuesi brazilian Richarlison po përjeton një nga periudhat më të vështira të karrierës së tij te Tottenhami, pasi nuk është përfshirë në listën prej 25 lojtarësh për sezonin e ri të Ligës Premier dhe është dërguar të stërvitet me ekipin U-21.
29-vjeçari, i cili ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me klubin londinez, i është drejtuar FIFA-s me kërkesën për ndërprerjen e parakohshme të marrëveshjes.
Braziliani beson se vendimi i Tottenhamit për ta larguar nga skuadra e parë mund t’i japë bazë ligjore për t’u larguar menjëherë nga klubi.
Richarlison luajti në ndeshjen e parë të sezonit, në humbjen ndaj Brentfordit, por që atëherë e ardhmja e tij në Londër është vënë seriozisht në pikëpyetje. Sulmuesi dëshiron të largohet sa më shpejt dhe një vendim pozitiv nga FIFA do t’i hapte mundësinë të vazhdonte karrierën jashtë Anglisë edhe pse afati kalimtar është mbyllur.
Gjatë verës i lidhur me largim
Gjatë verës, Richarlison ishte lidhur me një rikthim te Evertoni, klub ku kaloi katër vite dhe shënoi 53 gola në 152 paraqitje.
Megjithatë, ai e refuzoi mundësinë për t’u rikthyer në Goodison Park dhe për të punuar me trajnerin David Moyes. Më pas, braziliani e cilësoi Evertonin si klubin e tij të preferuar në rrjetet sociale, ndërsa kritikoi mënyrën se si Tottenhami i kishte trajtuar negociatat.
Tani, Vasco da Gama është shfaqur si një destinacion i mundshëm për Richarlisonin, i cili mund të rikthehet në Brazil nëse FIFA i jep të drejtë për të ndërprerë kontratën.
Ai shpreson të përsërisë rastin e bashkatdhetarit Renan Lodi, i cili vitin e kaluar ndërpreu kontratën me Al Hilalin me ndihmën e FIFA-s.
Rasti shkakton debat në Angli
Rasti ka shkaktuar debat edhe në Angli. Ish-pronari i Crystal Palace, Simon Jordan, e ka cilësuar situatën si potencialisht të rrezikshme për futbollin, duke paralajmëruar se një vendim i tillë mund të krijojë precedent për lojtarët që kërkojnë të largohen nga klubet e tyre përmes procedurave të ngjashme.
Richarlison iu bashkua Tottenhamit nga Evertoni në vitin 2022 për rreth 58 milionë euro.
Në katër vite me klubin londinez, ai ka regjistruar 32 gola dhe 15 asistime në 134 paraqitje. Aktualisht, vlera e tij në treg vlerësohet rreth 25 milionë euro, ndërsa për Brazilin ka zhvilluar 54 ndeshje dhe ka shënuar 20 gola. /Telegrafi/