Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë për bllokimin e projektit “Ishulli Urban”, i cili, sipas tij, do ta lidhte Arbërinë me qendrën e kryeqytetit.
Rama ka thënë se rreth 30 mijë banorë të Arbërisë aktualisht detyrohen të kalojnë përmes shinave të trenit për të dalë në qendër, ndonëse, sipas tij, procedurat për projektin kanë përfunduar dhe punimet kishin nisur.
“Jo pse nuk ka projekt. Jo pse nuk kanë nisë punimet. Por sepse Qeveria ka vendosë me i blloku”, ka shkruar Rama.
Ai ka pretenduar se punimet janë ndalur në muajin maj, ndërsa akti ligjor që është përdorur si bazë për ndaljen e tyre është nxjerrë një muaj më vonë, në qershor.
“Pra, fillimisht e ndalën projektin, pastaj e krijuan arsyetimin për ndaljen e tij”, ka deklaruar ai.
Sipas Ramës, arsyetimi i dhënë për ndërprerjen e punimeve ka qenë mbrojtja e trashëgimisë kulturore, pretendim të cilin ai e ka kundërshtuar publikisht.
Kryetari i Prishtinës ka kërkuar që përfaqësuesit e Qeverisë të japin një arsyetim para banorëve të Arbërisë për ndaljen e projektit.
“Le të dalë veç njëri prej tyre para 30 mijë banorëve të Arbërisë dhe le ta thotë një arsye të vetme që e justifikon këtë bllokadë”, ka shkruar Rama.
Në fund të reagimit të tij, Rama ka përdorur edhe tone kritike ndaj Qeverisë, duke e cilësuar atë si “Qeveri e ‘vades të Lupçit’”. /Telegrafi/