Besfort Biljali dhe Eris Sako janë dy kandidatët e radhës të prezantuar për çmimin “Sipërmarrësi i Vitit 2026”. Krahas tyre, janë bërë publik edhe tre të nominuarit për Çmimin e Ekselencës Akademike 2026, që do të ndahet gjatë Swissalbs Award Gala Night në Zürich.
Besfort Biljali është bashkëthemelues dhe përgjegjës për shitje në Lumvin AG. Kompania zhvillon në Zvicër zgjidhje të qëndrueshme në fushën e ndriçimit LED dhe inxhinierisë. Përmes ripërdorimit të sistemeve ekzistuese të ndriçimit, Lumvin synon t’i bëjë ato më efikase në shpenzimin e energjisë dhe më të përshtatshme për të ardhmen.
Kandidati tjetër, Eris Sako, është bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Duatic. Kompania zhvillon “Alpha”, një robot inteligjent dhe mobil për përdorim në industri, i projektuar për bartjen e ngarkesave të rënda dhe automatizimin e proceseve të punës.
Tre të nominuarit për ekselencë akademike
Në kuadër të Çmimit të Ekselencës Akademike 2026 janë nominuar Kemal Can Struja, Shkurta Gashi dhe Lindon Bytyqi.
Kemal Can Struja është doktor shkence në dinamikën e strukturave dhe inxhinierinë e tërmeteve në ETH Zürich. Shkurta Gashi është doktore shkence në inteligjencën artificiale dhe shëndetin digjital, po ashtu në ETH Zürich. Lindon Bytyqi ka përfunduar studimet master në arkitekturë në Universitetin e Shkencave dhe Arteve të Aplikuara të Lucernit.
Ky çmim, i mbështetur nga Albanian Engineering of Switzerland, vlerëson arritjet akademike, punën kërkimore, inovacionin dhe kontributin e studentëve shqiptarë në komunitetin akademik në Zvicër.
Fituesit do të shpallen më 19 shtator 2026 gjatë Swissalbs Award Gala Night, e cila do të mbahet në Kongresshaus Zürich. Informacione të tjera rreth kandidatëve, programit dhe pjesëmarrjes mund të gjenden në kanalet zyrtare të Swissalbs.