Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se në seancën e nesërme të Kuvendit Komunal pritet të votohet themelimi i ndërmarrjes së re komunale të pastrimit, e cila, sipas tij, do të jetë 100 për qind në pronësi të kryeqytetit.
Rama tha se për dy deri në tre vjet, vendimet dhe draft-rregulloret që lidhen me projektet e Komunës janë bllokuar, për çka akuzoi institucionet qendrore për veprime, siç tha ai, jo të ligjshme.
“Projektet po i ngrehin zhag, edhe Republikën e Kosovës Kushtetuese po e ngrehin zhag. Kjo është klasë e politikanëve që janë në ministri”, deklaroi Rama.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që, siç tha, ta largojnë “këtë kastë negative” që po e dëmton vendin.
Rama tha se beson se propozimi për ndërmarrjen e re do t’i sigurojë votat e nevojshme në Kuvendin Komunal, përfshirë edhe votat e asamblistëve të Vetëvendosjes.
“Mendoj që i kemi votat me e kalu, edhe të Vetëvendosjes. Këtë do ta shohim nesër”, tha ai.
Sipas Ramës, ndërmarrja e re do të jetë tërësisht e menaxhuar nga Kryeqyteti, duke e kundërshtuar modelin aktual të menaxhimit.
“Kjo do të jetë ndërmarrje 100 për qind e Kryeqytetit. Unë ju siguroj që kompania e re do të jetë e menaxhuar 100 për qind nga Kryeqyteti, jo 25 për qind”, tha Rama.
Ai akuzoi institucionet qendrore se për vite me radhë, sipas tij, kanë shfrytëzuar institucionet qeveritare, ndërsa problemet ua kanë lënë komunave.
“Këta demagogë, këta rrenacakë po e bëjnë dhe po vazhdojnë me i bërë këto rrena… Pesë vjet që punojnë, i shfrytëzojnë institucionet qeveritare, neve na lënë problemin”, deklaroi Rama.
Ndërkohë, Rama tha se në seancën e nesërme pritet të procedohet edhe rregullorja përkatëse për ndërmarrjen e re. /Telegrafi/