Dogana e Kosovës ka njoftuar për kontrollet që kryhen në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke rikujtuar udhëtarët për rregullat doganore gjatë hyrjes në Kosovë.
Sipas Doganës, zyrtarët doganorë kryejnë kontrolle të bagazheve dhe përdorin edhe skanerët si pajisje ndihmëse për identifikimin e mallrave që mund të jenë objekt i deklarimit.
Dogana ka bërë të ditur se udhëtarët që kalojnë përmes kanalit të gjelbër, duke deklaruar se nuk kanë mallra për të deklaruar, mund t’i nënshtrohen kontrollit doganor.
Për udhëtarët që hyjnë në Kosovë përmes trafikut ajror, kufiri i patatueshëm për mallrat e destinuara për nevoja personale është 430 euro për udhëtar.
Në rastet kur vlera e mallrave personale tejkalon këtë kufi, udhëtarët duhet t’i deklarojnë ato në kanalin e kuq. Më pas, zyrtari doganor i informon për procedurat e mëtejshme doganore.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit, si dhe në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme.
Institucioni u ka bërë thirrje udhëtarëve që të informohen dhe të deklarojnë saktë mallrat, në mënyrë që udhëtimi të jetë në përputhje me legjislacionin doganor. /Telegrafi/