Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja e grantit në vlerë prej 1.86 milionë eurosh për financimin e Projektit për Banimin Social Adekuat në këtë komunë.
Marrëveshja është nënshkruar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), së bashku me ministren në detyrë, Fitore Pacolli.
Sipas Xheladinit, nga kjo shumë, 1.36 milionë euro do të ndahen për ndërtimin e njësive të reja të banimit social, 400 mijë euro për renovimin e shtëpive private dhe 110 mijë euro për rindërtimin e shtëpive private për familjet e cenueshme.
Përfitues të këtij programi do të jenë familjet e cenueshme të Komunës së Dragashit, përfshirë edhe pjesëtarë të komuniteteve jo-shumicë.
Xheladini ka theksuar se projekti synon krijimin e kushteve më të mira, më të sigurta dhe më dinjitoze të banimit për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.
“Ky është një investim i rëndësishëm për qytetarët tanë, veçanërisht për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje”, ka shkruar Xheladini.
Ai ka thënë se si kryetar i komunës është i përkushtuar që investimet të përkthehen në përmirësim konkret të jetës së qytetarëve.
“Dragashi është shtëpi e të gjithëve dhe zhvillimi duhet të jetë i barabartë për të gjithë”, ka theksuar ai. /Telegrafi/