Apple ka prezantuar gjeneratën e re të kufjeve bazë AirPods 5, të cilat sjellin cilësi më të mirë të zërit, anulim më të fuqishëm të zhurmës dhe, çuditërisht, një çmim më të ulët në raport me specifikat që ofrojnë.
AirPods 5 janë kufje jo-Pro, me dizajn open-ear, dhe vijnë në dy versione. Modeli i parë përfshin një kasë standarde me USB-C, ndërsa varianti më i avancuar vjen me kasë për karikim wireless dhe kontrolle me prekje në bishtin e kufjeve.
Për herë të parë, të dy modelet ofrojnë anulim aktiv të zhurmës (ANC). Apple pretendon se AirPods 5 kanë sistemin më të mirë të anulimit aktiv të zhurmës në treg për kufjet me dizajn open-ear.
Sipas kompanisë, ANC i AirPods 5 redukton deri në 50 për qind më shumë zhurmë të jashtme krahasuar me gjeneratën paraardhëse, transmeton Telegrafi.
Edhe Transparency Mode është përmirësuar, me synimin që zërat e njerëzve dhe tingujt përreth të transmetohen në mënyrë më natyrale.
Zë më i pasur dhe përshtatje më e mirë me veshin
AirPods 5 kanë një arkitekturë të re akustike multiport dhe gjeneratën e re të teknologjisë Adaptive EQ, që synojnë të ofrojnë tingull më të pasur dhe më të detajuar.
Apple thotë se dizajni i ri është zhvilluar për t’u përshtatur më mirë me forma të ndryshme të veshit. Përmirësimet e dizajnit ndikojnë gjithashtu në funksionin e Personalized Spatial Audio, duke krijuar një përvojë më të personalizuar të dëgjimit.
Siri me AI dhe kontrolle me gjeste
AirPods 5 sjellin gjithashtu përdorimin pa duar të Siri me inteligjencë artificiale, kur kufjet çiftëzohen me një iPhone që mbështet Apple Intelligence.
Përdoruesit mund t’i kërkojnë Siri-t të gjejë përmbajtje personale në mesazhe, email-e dhe fotografi dhe më pas ta përdorin atë informacion në aplikacionet që mbështesin këtë funksion.
Apple ka shtuar edhe kontrolle përmes lëvizjeve të kokës. Përdoruesit mund të tundin kokën për të thënë “po” ose ta lëvizin majtas-djathtas për “jo” gjatë ndërveprimit me Siri.
Modeli më i shtrenjtë, me kasë për karikim wireless, sjell edhe kontrolle me rrëshqitje në bishtin e kufjes për ndryshimin e volumit – një risi për modelet AirPods jo-Pro.
Deri në 5 orë dëgjim me ANC
AirPods 5 ofrojnë deri në 5 orë dëgjim me anulimin aktiv të zhurmës të aktivizuar, ose një orë më shumë se gjenerata e mëparshme.
Modeli me kasë për karikim wireless arrin deri në 22 orë autonomi totale.
Një tjetër përmirësim i rëndësishëm është qëndrueshmëria. AirPods 5 kanë certifikim IP57, që sjell rezistencë më të lartë ndaj ujit dhe pluhurit, përfshirë edhe rezistencë ndaj zhytjes së përkohshme në ujë, ndryshe nga rezistenca e kufizuar vetëm ndaj spërkatjeve.
Çmimi nis nga 129 dollarë
AirPods 5 kanë një çmim fillestar prej 129 dollarësh ose 149 eurosh.
Versioni me kasë për karikim wireless dhe kontrolle me prekje kushton 149 dollarë ose 169 euro.
Porositë paraprake kanë nisur, ndërsa AirPods 5 do të jenë zyrtarisht në dispozicion nga 18 shtatori.