Manchester Unitedi kishte një mundësi konkrete për ta transferuar Kylian Mbappen shumë përpara se sulmuesi francez të bëhej një prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror.
Legjenda e “Djajve të Kuq”, Ryan Giggs, ka zbuluar se klubi anglez ishte paralajmëruar për talentin e Mbappes që në vitin 2015, kur ai ishte ende në fillimet e karrierës te Monaco.
Duke folur për Rio Ferdinandin në emisionin “Rio Ferdinand Presents: The Brief”, Giggs tregoi një histori të pazakontë se si kishte marrë informacionin e parë për Mbappen nga një tifoz i Manchester Unitedit në Francë.
“Pra, isha në jug të Francës. Kisha dalë për një shëtitje në fshatin lokal dhe po kthehesha në hotel. Ndjeva dikë pas meje, e dini atë ndjesinë kur mendon se dikush po të ndjek. Arrita në hotel dhe papritur ndjeva dikë duke ardhur drejt meje”.
“Ky person quhej Lionel. Ai erdhi tek unë dhe më tha: ‘Përshëndetje, jam Lionel. Thjesht desha të të përshëndes. Jam tifoz i madh i Unitedit dhe i yti’”.
“Por unë shikoj shumë futboll të të rinjve në Francë dhe duhet ta shikoni këtë lojtar. Quhet Kylian Mbappe. Është te Monaco dhe mendoj se është lojtar për Manchester Unitedin”.
Disa javë më vonë, Lionel i dërgoi Giggsit me email të gjitha detajet rreth talentit francez, ndërsa ish-anësori i Unitedit e përcolli informacionin te pjesëtarët e stafit të klubit.
“Disa javë më vonë, ai më dërgoi me email të gjitha detajet. Kështu që unë dhe Alberti, i cili ishte një tjetër ndihmës te Unitedi në atë kohë, i treguam për këtë”.
“Shkuam në disa ndeshje të të rinjve të Monacos dhe e pamë atë. Thjesht thamë: ‘Wow, çfarë është ky?’ Mund t’i shohësh lojtarët dhe të kuptosh se mund të jenë specialë, por ai dukej i jashtëzakonshëm”.
Unitedi më pas aktivizoi edhe ekipin e skautëve, por në fund klubi nuk u bind plotësisht për transferimin e tij.
“Ua treguam ekipit të skautëve të Unitedit. Dikush në Francë shkoi ta shikonte. Ai në fakt po luante kundër PSG-së”.
“Monaco po luante kundër PSG-së, kështu që ata shkuan në Paris për ta parë. Pastaj, disa javë më vonë, e pyeta këtë person: ‘Si shkoi?’ Ai tha: ‘Nuk ishin shumë të bindur për të, kështu që e lamë’. Dhe kaq ishte”.
Mbappe përfundimisht qëndroi te Monaco dhe shpërtheu në skenën e futbollit evropian, përpara se të transferohej te Paris Saint-Germaini në vitin 2017.
Sot, francezi është pjesë e Real Madridit dhe konsiderohet një prej favoritëve kryesorë për Topin e Artë të vitit 2026./Telegrafi/