Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka mirëpritur zotimet e reja për mbështetjen e Ukrainës, duke u bërë thirrje vendeve aleate dhe partnere që të vazhdojnë të rrisin ndihmën për Kievin, shkruan Telegrafi.
Rutte mori pjesë të martën, më 8 shtator, në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, të kryesuar nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Ai mirëpriti zotimet e reja që synojnë ta ndihmojnë Ukrainën të mbrohet nga Rusia, përfshirë edhe nga sulmet ajrore.
“Gjatë vitit të fundit, aleatët kanë ndarë mbi 10 miliardë dollarë për PURL dhe shitjet ushtarake të SHBA-së për Ukrainën. Kjo është thelbësore dhe duhet mirëpritur fuqishëm”, deklaroi Rutte, shkruan në deklaratë NATO, transmeton Telergafi.
Sipas tij, në këtë shumë përfshihen edhe 3.5 miliardë dollarë nga kredia e Bashkimit Evropian për mbështetjen e Ukrainës.
“Kjo është një shenjë konkrete e bashkëpunimit BE-NATO në mbështetje të Ukrainës dhe një tjetër shembull se Evropa po bën më shumë”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u tha aleatëve dhe partnerëve se Ukraina duhet të mbështetet me “urgjencën më të madhe”, duke paralajmëruar se vonesat kushtojnë jetë njerëzish.
Rutte theksoi se iniciativa PURL e NATO-s, përmes së cilës pajisjet ushtarake amerikane financohen nga aleatët dhe partnerët e NATO-s dhe i dërgohen Ukrainës, vazhdon të sigurojë pajisje kritike.
“Ky proces është i pandërprerë dhe absolutisht thelbësor për ta ndihmuar Ukrainën të mbrojë qytetet e saj dhe të mbajë vijën e frontit”, deklaroi Rutte./Telegrafi/.