Irani pretendon se forcat detare të Gardës Revolucionare Islamike kanë kapur një nëndetëse amerikane pa ekuipazh në hyrje të Ngushticës së Hormuzit, në një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Lajmi është raportuar nga agjencia shtetërore iraniane IRNA, duke cituar Marinën e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Sipas raportimit, mjeti amerikan u kap gjatë një “operacioni të drejtuar nga inteligjenca”, ndërsa ndodhej në hyrje të ngushticës strategjike.
IRNA tha se fotografitë e mjetit do të publikohen së shpejti, transmeton Telegrafi.
Pretendimi iranian vjen në një moment jashtëzakonisht të tensionuar në Ngushticën e Hormuzit, ku SHBA-ja dhe Irani janë përfshirë në një seri përplasjesh ushtarake dhe ku trafiku detar është reduktuar ndjeshëm. Reuters raportoi se vetëm shtatë anije transportuese të mallrave kaluan nëpër ngushticë të hënën, ndërsa Teherani ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet ndaj çdo sulmi të ri amerikan.
Më herët, IRNA kishte raportuar se forcat e IRGC-së kishin sulmuar një mjet ushtarak amerikan pa ekuipazh që po përpiqej të hynte në zonën e mbrojtur të Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, SHBA-ja ka mohuar një pretendim të mëparshëm iranian se një mjet ushtarak amerikan pa ekuipazh ishte goditur në Hormuz, duke e cilësuar atë si të pavërtetë.
Për momentin, nuk ka një reagim zyrtar amerikan që të konfirmojë pretendimin e ri për kapjen e nëndetëses.
Nëse pretendimi konfirmohet, incidenti do të përbënte një zhvillim të jashtëzakonshëm në përplasjen detare mes dy vendeve, veçanërisht për shkak të rëndësisë strategjike të Hormuzit dhe përdorimit të mjeteve pa ekuipazh në operacionet moderne detare.
Irani ndërkohë pretendon se ka kontroll të fortë mbi ngushticën. Një zyrtar i lartë i IRGC-së deklaroi sot se forcat iraniane e kontrollojnë “në mënyrë të vendosur” Ngushticën e Hormuzit dhe se ato mbeten në gatishmëri të plotë në jug të vendit.