Një konflikt i orëve të para të mëngjesit është kthyer në një ngjarje tragjike në Shkodër, ku një 24-vjeçar ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:30 në lagjen “Kongresi i Përmetit”.
Sipas policisë, pas një konflikti për motive të dobëta, 25-vjeçari Andri Vulaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Qamil Lulit, 63 vjeç, dhe djalit të tij, Ylber Luli, 24 vjeç.
Të dy të plagosurit u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore, por 24-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Gjatë përplasjes, edhe 25-vjeçari Vulaj ka mbetur i plagosur me thikë.
Ai është kapur dhe shoqëruar nga shërbimet e Policisë, ndërsa në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar pistoleta që dyshohet se është përdorur në krim.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për të zbardhur dinamikën e plotë të konfliktit, si dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. /euronews.al/