Iqbal Sheikh, një 16-vjeçar nga Bengali Perëndimor i Indisë, pretendon se ka kaluar pjesën më të madhe të pesë viteve të fundit në ujë, në përpjekje për të lehtësuar simptomat e një sëmundjeje misterioze të lëkurës.
Sipas Iqbalit dhe familjes së tij, ai ka kaluar shumicën e këtyre viteve në një pellg të vogël, pasi uji i freskët i qetëson dhimbjet e forta që ai i përshkruan si një ndjesi djegieje në lëkurë.
Pavarësisht vizitave të shumta në spitale dhe te persona që pretendojnë se mund të shërojnë sëmundje, deri tani askush nuk ka arritur të përcaktojë diagnozën e tij apo ta trajtojë me sukses problemin.
Adoleshenti thotë se nëse qëndron jashtë ujit për një kohë të gjatë, dhimbjet bëhen të padurueshme. Ai madje beson se vuajtjet e tij mund të jenë shkaktuar nga një “xhind, zanë ose ndonjë qenie tjetër mbinatyrore”.
– YouTube www.youtube.com
Rasti i 16-vjeçarit mori vëmendje të madhe pasi videot ku ai shihet i zhytur deri në qafë në ujë u bënë virale në internet. Pamjet shkaktuan diskutime të shumta për gjendjen e tij.
Disa përdorues në Reddit kanë spekuluar se simptomat mund të përputhen me një sëmundje të rrallë të quajtur eritromelalgji. Kjo gjendje prek kryesisht këmbët, por mund të shfaqet edhe në pjesë të tjera të trupit dhe karakterizohet nga ndjesi djegieje dhe skuqje e lëkurës. Shkaqet e saj nuk janë plotësisht të qarta, ndërsa disa ekspertë besojnë se mund të ketë origjinë gjenetike.
Historia e Iqbalit thuhet se tërhoqi vëmendjen e Anant Ambanit, trashëgimtarit të një prej perandorive më të mëdha të biznesit në Indi. Sipas raportimit, Ambani organizoi transportimin e adoleshentit për më shumë se 2.000 kilometra, nga Bengali Perëndimor drejt Mumbait.
Atje, 16-vjeçari pritet të ekzaminohet nga një ekip mjekësh, me shpresën se specialistët do të arrijnë të përcaktojnë shkakun e simptomave dhe t’i ofrojnë trajtimin e duhur. /Telegrafi/