Urrejtja dhe sulmet në hapësirën digjitale kundër figurave politike në Zvicër kanë shënuar nivelin më të lartë historik.
Sipas gazetës Basler Zeitung, Zyra Federale e Policisë (Fedpol) ka regjistruar gjatë vitit 2025 në total 645 njoftime për kërcënime dhe ngacmime ndaj deputetëve dhe ministrave. Kjo situatë po prek në mënyrë të veçantë politikanët e rinj, gratë dhe personat me prejardhje të huaj.
Deputeti i Parlamentit të Zvicrës nga radhët e partisë socialdemokrate, Arbër Bullakaj, i cili është me origjinë nga Kosova dhe është rritur në Zvicër, deklaron për gazetën se përballet çdo ditë me sulme dhe racizëm në rrjetet sociale.
Fyerjet si “kancer” ose “shqiptar me pasaportë zvicerane” (domethënë: jo zviceran i vërtetë) Bullakaj i konsideron të papranueshme dhe së fundmi ka publikuar një video ku tregon përmasat e kësaj urrejtjeje, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i raportojnë këto raste te Komisioni Federal kundër Racizmit.
Bullakaj nënvizon se fyerja dhe racizmi nuk përbëjnë mendim liberal dhe se interneti nuk është zonë pa ligj. Deputeti thekson se po lufton për të mbrojtur të rinjtë që duan të futen në politikë por frikësohen nga kjo valë urrejtjeje, ndërsa shton se shumica e shoqërisë nuk është me frymë urrejtëse, por mbetet fatkeqësisht më e heshtur.
Nga kjo dukuri po vuan rëndë edhe deputetja e të Gjelbërve në kantonin e Solothurnit, Marlene Fischer. 30-vjeçarja u përball me më shumë se 1500 komente pas disa postimeve për grevën e grave në vitin 2026, ku përfshiheshin fyerje të rënda, sulme seksiste dhe deri në urime për dhunim. Për të mos mbetur në rolin e viktimës, Fischer dërgoi në polici një listë me rreth 100 komente më agresive për të ngritur padi penale. Përvoja të ngjashme denoncojnë edhe politikanë nga partitë e tjera, si bashkëpresidentja e FDP-së, Susanne Vincenz-Stauffacher, apo vetë ministrja, Karin Keller-Sutter.
Sipas të dhënave nga Universiteti i Baselit, urrejtja online po ndikon që shumë gra të mendojnë tërheqjen nga politika.
Në këtë kuadër, nga tetori do të nisë punën një qendër e re këshilluese e quajtur “Hatehelp”, e cila do t’u ofrojë mbështetje juridike dhe emocionale falas figurave publike që bien pre e stuhive të urrejtjes në internet.
