Me disa ndryshime të vogla në këpucë dhe shtresa, gardëroba e verës mund të vazhdojë të funksionojë edhe në ditët e para më të freskëta
Fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit mund të jenë ndër periudhat më të ndërlikuara për t’u veshur. Në mëngjes dëshironi diçka mbi supe, në mesditë temperaturat mund të afrohen sërish me 30 gradë, ndërsa në mbrëmje sandalet nuk duken gjithmonë si zgjedhja më e mirë.
Në të njëjtën kohë, gardëroba verore fillon të bëhet monotone, ndërsa për çizme, pallto dhe veshje të rënda me shtresa është ende herët.
Pikërisht për këtë arsye, kombinimet më interesante të kësaj periudhe nuk i përkasin plotësisht as verës, as vjeshtës. Mjafton të ndryshoni disa detaje dhe shumicën e pjesëve që ju duhen ndoshta i keni tashmë në dollap.
1. Fustan baby-doll dhe çantë kashte
Fustani i lirshëm baby-doll është një nga pjesët që është rikthyer fuqishëm në modë. I shkurtër ose midi, i gjerë nga pjesa e gjoksit e poshtë dhe pa ndjekur linjat e trupit, është ideal për ditët e fundit të ngrohta.
Kombinimi më i thjeshtë është edhe ndër më efektivët: fustan, sandale të sheshta ose shapka dhe një çantë e madhe kashte.
Por me hyrjen e shtatorit, i njëjti fustan mund të duket krejt ndryshe. Sandalet mund t’i zëvendësoni me balerina, mokasina ose atlete të thjeshta, ndërsa për mëngjeset më të freskëta mund të shtoni një kardigan të hollë.
Edhe çanta e kashtës nuk ka pse të largohet menjëherë nga gardëroba. Me ngjyra neutrale si e bardha, e zeza, bezha, ulliri ose kafeja çokollatë, ajo mund të funksionojë bukur edhe gjatë javëve të para të shtatorit, transmeton Telegrafi.
2. Veshjet e ngushta dhe shapka me takë të vogël
Fustani i ngushtë prej kohësh nuk është rezervuar vetëm për daljet në mbrëmje. Sidomos versioni i zi është një nga pjesët më praktike për periudhën kalimtare.
Një mënyrë aktuale për ta kombinuar është me shapka me takë të vogël, të tipit kitten heel. Kontrasti është pikërisht ajo që e bën kombinimin interesant: fustani sjell estetikën e viteve ’90, ndërsa taka e vogël i jep një dozë elegance.
Kur mbrëmjet të bëhen më të freskëta, sipër tij mund të vishni një xhaketë e gjerë, kardigan të hollë ose pulovër të lehtë. Kështu, një fustan që dukej krejtësisht veror bëhet pjesë e garderobës së fillimit të vjeshtës.
3. Pulovër e hollë dhe pantallona prej popeline
Ky është ndoshta kombinimi më praktik për ditët kur në mëngjes temperatura mund të jetë 17 gradë, ndërsa disa orë më vonë afrohet me 30.
Pantallonat prej popeline janë mjaft të lehta për ditën, ndërsa një pulovër e hollë me jakë të rrumbullakët ju mbron nga freskia e mëngjesit, ajri i kondicionuar në zyrë dhe mbrëmjet më të ftohta.
Zgjidhni pambuk të hollë, përzierje pambuku e mëndafshi ose trikotazh të lehtë, jo lesh të trashë.
Nëse gjatë ditës bëhet nxehtë, pulovrin thjesht mund ta hidhni mbi supe. Me sandale, kombinimi mbetet veror; me mokasina ose balerina, merr menjëherë pamje më vjeshtore.
4. Një ngjyrë nga koka te këmbët dhe këpucë me print kafshësh
Printi leopard vazhdon të jetë aktual. Zebra, motivet e gjarprit dhe printet e tjera po shfaqen gjithnjë e më shumë në këpucë dhe aksesorë.
Një kanotiere dhe pantallona në të njëjtën ngjyrë krijojnë një bazë të pastër, ndërsa balerinat me print kafshësh bëhen detaji i vetëm që bie në sy.
E zeza është zgjedhja më e sigurt, por funksionojnë shumë mirë edhe bezha, kremi, kafeja e errët ose ngjyra ulliri.
Kur temperaturat të bien, mjafton ta zëvendësoni kanotierën me një pulovër të hollë ose të shtoni një xhaketë.
/Telegrafi/
