Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, më 30 gusht 2026, Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së, Atdhe Hetemi, mori pjesë në aktivitetet përkujtimore të mbajtura në Gjenevë, kushtuar personave të zhdukur me dhunë dhe familjeve që vazhdojnë të presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.
Fillimisht, Hetemi mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Ende duke pritur?”, të artistit Artan Korenica, në Ferme de la Golette në Meyrin. Ekspozita u organizua nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim me Jardin des disparus – Kopshti i të Zhdukurve.
Më pas, iu bashkua Marshit për Drejtësi “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë”, të organizuar nga Shoqata Kulturore “Dora d’Istria”, në bashkëpunim me shoqatat dhe organizatat partnere. Marshi nisi nga Parc des Cropettes dhe vazhdoi drejt Place des Nations, para selisë së Kombeve të Bashkuara, ku u mbajt programi përkujtimor.
Hetemi theksoi se kujtimi nuk mjafton dhe se familjet kanë të drejtë në të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë.
Ai ritheksoi rëndësinë e dokumentimit dhe ruajtjes së dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe nevojën për bashkëpunim institucional dhe qasje në arkivat relevante, për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave ende të zhdukur.
Aktivitetet u përmbyllën me mbrëmjen kushtuar Ukshin Hotit dhe prezantimin e librit “Bisedë përmes grilave”, me letërkëmbimin ndërmjet Ismail Kadaresë dhe Ukshin Hotit, të përkthyer në frëngjisht nga Sébastien Gricourt.
“Pjesëmarrja e IKKL-së dëshmon angazhimin e vazhdueshëm institucional për dokumentimin dhe ruajtjen e së vërtetës, si dhe për mbështetjen e familjeve që, edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës, vazhdojnë të presin përgjigje. Kërkimi për personat e zhdukur nuk ka përfunduar. Përderisa familjet vazhdojnë të presin, puna jonë nuk ka përfunduar”, thuhet në komunikatën e IKKL-së.
