Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë në detyrë për mënyrën e marrjes së vendimeve dhe sipas saj, për mungesën e një vendimi për kompensimin e fermerëve të dëmtuar nga breshëri.
Në një reagim të publikuar të mërkurën, Bajrami ka ironizuar mbledhjet elektronike të Qeverisë, duke thënë se ato po zhvillohen edhe gjatë natës.
“Aq të zënë janë, sa që mbledhjet e Qeverisë i mbajnë elektronike, edhe atë bile natën, me gjuhën e Albinit në terr”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka pretenduar se vendimet për ndarjen e mjeteve dhe buxhetit po merren shpejt, ndërsa fermerët që kanë pësuar dëme nga breshëri ende nuk janë kompensuar.
“Pse, a mos po marrin vendim me i kompensu bujqit? Ata që punojnë ditë e natë që ne ta kemi sofrën plot. Atyre që breshëri ua shkatërroi për pak minuta mundin dhe të ardhurat e një viti të tërë. Për ata s’ka asnjë vendim”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka kërkuar që vendimet e kësaj mbledhjeje dhe mënyra e ndarjes së parasë publike të analizohen një nga një, duke akuzuar Qeverinë se, sipas saj, gjen kohë dhe buxhet për interesa politike e partiake, por jo për fermerët.
Qeveria në detyrë ka zhvilluar edhe më herët mbledhje elektronike. Në mbledhjen e 32-të, më 12 gusht, ndër të tjera ishin miratuar vendime për çështje administrative dhe prona në fushën e bujqësisë.
Bajrami kishte kërkuar edhe më herët, pas dëmeve nga breshëri në Istog dhe zona të tjera, mbledhje urgjente të Qeverisë dhe ndarjen e mjeteve për kompensimin e fermerëve. /Telegrafi/
