Liverpooli ka zbuluar një tjetër talent premtues gjatë fazës përgatitore, me 18-vjeçarin Ifeanyi Ndukwe që ka impresionuar me paraqitjet e tij në miqësore.
Mbrojtësi austriak ka përfituar nga mungesat në repartin defensiv dhe ka marrë më shumë minuta nga sa pritej.
Në katër ndeshjet e para të verës, Liverpooli ka regjistruar dy fitore dhe dy humbje, ndërsa Ndukwe ka qenë një nga pikat pozitive të ekipit.
Mungesat e Joe Gomez, Jeremy Jacquet dhe Giovanni Leoni i kanë hapur rrugën Ndukwe për të treguar vlerat e tij. Ai ka luajtur dy ndeshje të plota nga 90 minuta dhe një tjetër prej 80 minutash, ndërsa ndaj Monacos në “Anfield” u aktivizua nga minuta e parë përkrah kapitenit Virgil van Dijk.
Me shtatlartësinë prej 1.98 metrash dhe paraqitjet e sigurta në duelet mbrojtëse, talenti i ri ka marrë vlerësime të shumta.
Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve mbresëlënëse, Ndukwe nuk mund të luajë për Liverpoolin në ndeshjet zyrtare gjatë vitit 2026.
Arsyeja lidhet me rregullat e punës pas Brexit, pasi ai nuk ka grumbulluar pikët e nevojshme për të marrë lejen e punës në Angli.
Liverpooli gjithashtu ka vetëm një nga katër vendet e mundshme “ESC” për lojtarët që nuk plotësojnë kriteret standarde dhe këtë hapësirë e ka zënë tashmë senegalezi Mor Talla Ndiaye.
Ndukwe iu bashkua Liverpoolit nga akademia e Austria Viennës, pasi kishte spikatur me Austrinë në Kupën e Botës U-17.
Transferimi i tij, me vlerë rreth 2.6 milionë funte, u bë zyrtar këtë verë pasi mbrojtësi mbushi 18 vjeç.
Ai do të ketë mundësi të luajë edhe në miqësoren e fundit të Liverpoolit ndaj Comos më 16 gusht, ndërsa më pas pritet të largohet në huazim.
Edhe Virgil van Dijk e ka cilësuar Ndukwe si një “talent të madh”, duke theksuar dëshirën e tij për të mësuar dhe për t’u përmirësuar.
Agjenti Georg Lederer ka konfirmuar se po kërkohet një klub në Evropë ku mbrojtësi të fitojë eksperiencë në nivel të lartë.
Ndukwe duhet të grumbullojë 15 pikë përmes paraqitjeve në një kampionat të përshtatshëm për të siguruar automatikisht lejen e punës, dhe me lëvizjen e duhur ai mund ta arrijë këtë objektiv deri në janar, duke i hapur mundësinë një rikthimi te Liverpooli gjatë sezonit. /Telegrafi/
