Boksieri shqiptar Amarildo Bakaj ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ku ka rrëfyer një episod të veçantë nga fillimet e karrierës së tij në boks.
Bakaj tregon se, një ditë para një ndeshjeje, gjatë matjeve zyrtare, është njoftuar papritur se kundërshtari i tij ishte tërhequr dhe se duhej të përballej me një tjetër boksier.
“Sa inat më vjen… Këtu isha në fillimet e mia, ku mendoja që ky sport ka drejtësi. Nuk i kuptoja hilet e këtij sporti”, shkruan ai.
Sipas Bakajt, kundërshtari i ri ishte dukshëm më i madh fizikisht. Ai tregon se kur u ngjit në peshore, rezultoi se ishte 26.5 kilogramë më i rëndë se ai, ndërsa kishte një gjatësi prej 1.98 metrash.
“Kisha për t’u ndeshur me një boksier në kategorinë time dhe një ditë para ndeshjes, në matjet zyrtare, më thanë: ‘Kundërshtari yt është tërhequr dhe duhet të ndeshesh kundër këtij boksieri’. Ma thanë në sy të tij dhe para njerëzve, dhe mua nuk ma lejoi krenaria ta refuzoj”, shkruan Bakaj.
Boksieri shqiptar pretendon se vetëm më vonë e ka kuptuar se ndryshimi i kundërshtarit mund të ketë qenë i qëllimshëm, pasi sipas tij bëhej fjalë për një boksier të organizatorëve.
“Gjithë këtë e kam kuptuar më vonë. Ata e kishin anuluar kundërshtarin tjetër vetëm që të ndeshesha kundër boksierit të tyre, që t’i shtohej një fitore më shumë në rekordin e tij, të ngjitej boksieri i tyre lart dhe mua thjesht të më përdornin”, shkruan ai.
Megjithatë, ajo që e ka shqetësuar më shumë Bakajn është fakti se kjo ndeshje nuk iu regjistrua në rekordin e tij profesional.
“Nuk më intereson shumë kjo pjesë, por më vjen inat pse nuk ma regjistruan ndeshjen. Do isha 16-0 tani, jo 15-0. Nuk ma regjistruan që mos t’ia prishnin rekordin”, shkruan boksieri shqiptar.
Në fund, Bakaj shprehet se, pavarësisht vështirësive dhe asaj që e konsideron si padrejtësi, besimi dhe forca për të vazhduar përpara nuk i kanë munguar.
“Por Zoti është i madh. Zoti më ka dhënë zemër, më ka dhënë forcë t’i duroj grushtat, më ka dhënë energjinë që dua të shpërthej në ring”, përfundon Bakaj. /Telegrafi/
