Galatasarayi ka kontaktuar Arsenalin për transferimin e Gabriel Martinellit, por “Football London” raporton se “Topçinjtë” nuk janë të gatshëm ta shesin brazilianin pa siguruar më parë një zëvendësues.
Mikel Arteta vazhdon ta konsiderojë 25-vjeçarin pjesë të planeve të tij, ndërsa klubi londinez po kërkon një tjetër përforcim të nivelit të lartë për krahun e majtë të sulmit.
Arsenali së fundmi ka transferuar anësorin Christos Tzolis, i cili ka luajtur rregullisht në krahun e majtë gjatë ndeshjeve parasezonale të kësaj vere.
Martinelli është i kënaqur në Londrën e Veriut dhe nuk ka kërkuar largimin, por ardhjet e mundshme të lojtarëve të rinj mund t’ia ulin minutat dhe ta shtyjnë drejt një largimi në fund të afatit kalimtar.
Pas fitores 4-1 në miqësoren ndaj Gironas, Arteta konfirmoi se mund të ketë lëvizje të reja në skuadër.
“Presim që të ketë lëvizje në javët e ardhshme, padyshim”, deklaroi trajneri i Arsenalit.
Arteta theksoi gjithashtu se klubi nuk do të qëndrojë pasiv në merkato dhe synon të vazhdojë të përforcojë skuadrën.
“Ne nuk do të rrimë duarkryq dhe jemi shumë ambiciozë me atë që po bëjmë”, shtoi spanjolli.
Për momentin, qëndrimi i Arsenalit është i qartë: Martinelli mund të largohet vetëm nëse klubi fillimisht gjen një zëvendësues të denjë për brazilianin./Telegrafi/
