Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, ka shpërndarë në Facebook një fotomontazh të paraqitur si ballinë e gazetës serbe “Blic”, në të cilën pretendohet se ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka lavdëruar veprimin e deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj.
Në fotomontazhin e publikuar nga Hoxha shkruhet: “Reagoi Marko Gjuriq: ‘Time Kadrijaj e ka treguar guximin dhe dinjitetin’. Gjuriq: Kështu mbrohet e vërteta”.
Hoxha e ka shoqëruar publikimin me komentin: “Lëvdatat që nuk duhen”.
Mirëpo, materiali i publikuar nga Hoxha nuk është ballinë reale e gazetës “Blic”. Bëhet fjalë për një fotomontazh të manipuluar, i cili paraqitet sikur është material i publikuar nga kjo gazetë serbe.
Nuk ka të dhëna që “Blic” të ketë publikuar një lajm të tillë, ndërsa as deklarata e pretenduar e Marko Gjuriqit për veprimin e Kadrijajt nuk është e mbështetur me ndonjë burim.
Incidenti në Kuvend ndodhi një ditë më parë, kur deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Fotomontazhi krijon përshtypjen se veprimi i deputetes ka marrë mbështetjen publike të një zyrtari të lartë të Serbisë, duke përdorur emrin dhe pamjen grafike të një mediumi real.
Për këtë material ka reaguar edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, i cili ka thënë se bëhet fjalë për fotomontazhe të krijuara përmes inteligjencës artificiale, që paraqiten kinse si reagime të mediave serbe dhe Marko Gjuriqit.
Xhemaili ka vënë në dukje edhe disa gabime në material, përfshirë datën dhe mënyrën e shkrimit të emrit të Prishtinës.
“Fake News, kjo është Lufta Hibride në vepër! Edhe datën e kanë gabim, edhe emrin e Prishtinës e shkruajnë gabim. Sepse këta vetëm një gjë dinë të bëjnë, të gënjejnë. Kur nuk kanë argumente, shpikin. Kur nuk kanë fakte, prodhojnë Fake News”, ka shkruar Xhemaili.
Ai ka akuzuar zyrtarë të Vetëvendosjes për shpërndarjen e këtyre materialeve, duke pretenduar se ato janë krijuar me inteligjencë artificiale dhe janë përdorur për të krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për reagime reale të aktorëve serbë.
Në këtë rast, imazhi i shpërndarë nga Hoxha nuk paraqet një publikim autentik të gazetës “Blic”, ndërsa pretendimi për deklaratën e Gjuriqit nuk shoqërohet me burim të verifikueshëm./Telegrafi.
