Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky i cili ka thënë se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar.
OVL-UÇK e ka kritikuar ashpër deklaratën e Zelenskyt, duke e cilësuar atë si “anti-Kosovë” dhe duke e lidhur me qëndrimet e tij të shprehura gjatë vizitës në Beograd.
“Deklarata juaj anti-Kosovë në Beograd, shpërfaq profesionin tënd para se të bëheshe president”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Në reagim, organizata u është referuar zhvillimeve historike dhe politike që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se lufta e viteve 1998–1999 i dha fund sundimit të regjimit serb në Kosovë.
Sipas OVL-UÇK-së, ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte vendimtare për ndaljen e spastrimit etnik dhe krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile në Kosovë.
“Për informacionin tuaj, lexo në vijim ngjarjet që demantojnë deklaratën tuaj, e që janë mbështetur nga të gjitha shtetet që po mbështesin përpjekjet tuaja për t’i dhënë fund pushtimit rus:
1) Pas luftës së zhvilluar në vitet 1998–1999 dhe rezistencës së popullit të Kosovës, vendi u çlirua nga sundimi dhe regjimi opresiv i Serbisë.
2) Bota demokratike, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e NATO-s, ndërhyri ushtarakisht në pranverën e vitit 1999 për të ndalur spastrimin etnik dhe gjenocidin e ndërmarrë nga forcat serbe.
3) Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli zyrtarisht pavarësinë e saj. Deri më sot, pavarësia e Republikës së Kosovës është njohur nga 121 shtete anëtare të OKB-së.
4) Legjitimiteti i pavarësisë u konfirmua nga organet më të larta të drejtësisë globale. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë dha mendimin këshillimor ku konstatoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244, e as Kornizën Kushtetuese”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së. /Telegrafi/
